KEK raporton për operimin në gjendje të jashtëzakonshme – Kosova A me 3 njësi
February 09, 2026

Korporata Energjetike e Kosovës, KEK, thekson se që nga 19 dhjetori, ka operuar në një regjim të jashtëzakonshëm prodhimi, duke mbajtur 3 blloqe të TC Kosova A paralelisht në operim për mbi 30 ditë.
KEK njofton se ky nivel operimi përfaqëson një ngarkesë të jashtëzakonshme teknike dhe njerëzore për termocentralin më të vjetër në vend.
Tutje bëhet e ditur se standardi operativ i KEK që nga paslufta ka qenë operimi me 4 njësi gjeneruese 2 njësi nga Kosova A dhe 2 njësi nga Kosova B.
“Një njësi ka shërbyer gjithmonë si rezervë e nxehtë, për siguri të sistemit dhe reagim emergjent”, thuhet në njoftim.
KEK më tej bën të ditur se nga 19 dhjetori ka kaluar në operim të jashtëzakonshëm, me 5 njësi gjeneruese.
“Për shkak të rritjes së konsumit dhe nevojës për siguri energjetike, nga 19 dhjetori KEK ka kaluar në operim të jashtëzakonshëm duke arritur me sukses të operoje me 5 njësi gjeneruese për 30 ditë në punë njëkohësisht, duke përfshirë 3 njësi nga Kosova A dhe 2 njësi nga Kosova B”, thuhet në njoftim.
Sipas KEK-ut, ky nivel operimi përfaqëson një ngarkesë të jashtëzakonshme teknike dhe njerëzore për termocentralin më të vjetër në vend.
“Ky regjim operimi nuk është thjesht statistikë teknike. Është rezultat i punës së pandërprerë të rreth 4,000 punonjësve të KEK, të cilët punojnë në kushte të ngarkesës maksimale, mbajnë në operim kapacitete të vjetra por jetike për vendin dhe sigurojnë stabilitet energjetik në periudha kritike”, thuhet në njoftimin e KEK.
/Telegrafi