Search

Janez Kopac: Taksat e karbonit janë realiteti i ri i Ballkanit Perëndimor

29 Shtator, 2020


Drejtori i Komunitetit të Energjisë, Janez Kopac, ka folur për rëndësinë e inkuadrimit gradual të skemës së çmimit të karbonit për vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë një interviste për portalin Energetika.net.

Kopac iu referua Malit të Zi si vendi që rishtazi ka prezentuar skemën kombëtare të tregtimit te emisioneve dhe ka themeluar tregun për emetimet e CO2 me taksën e emetimit të karbonit të përcaktuar prej 25 eurosh për ton, cmim ky i përafërt me taksën Evropiane të karbonit.

‘Mali i Zi tashmë ka prezantuar një skemë kombëtare të tregtimit të emisioneve dhe treg për emetimet e CO2, i cili po funksionon, dhe diçka e tillë lejon një rritje graduale të çmimit të karbonit ‘, tha Kopac gjatë intervistës.

Futja graduale taksës së karbonit do të ishte zgjidhja më e mirë për vendet e rajonit

Tutje, Kopac theksoj se taksa e kufizimit të karbonit, ndonëse e paevitueshme në të ardhmen, nuk duhet të inkuadrohet menjëherë nga vendet e rajonit. Ai shtoi se futja graduale e një mekanzimi kombëtar të çmimit të karbonit do të ishte më e mira zgjidhje për vendet në rajon dhe në pajtim me kërkesat e BE-së.

‘Diçka si kjo, lejon një rritje graduale të çmimit të karbonit, sepse nëse taksa e kufizimit të karbonit do të vinte menjëherë, do të ishte e shumë e madhe dhe vështirë e përballueshme. Hyrja në Skemën Evropiane të Tregtimit të Emetimeve gjatë natës do të ishte shumë e dëmshme, por futja e mekanizmit kombëtar të çmimit të karbonit lejon një casje graduale. Mendoj se kjo do të ishte zgjidhja më e mirë për të gjitha palët, qoft për BE-në apo edhe palët kontraktuese të Komunitetit të Energjisë. Ndoshta ky do të ishte gjithashtu një justifikim për BE-në që të mos vendosë Taksa Kufitare të Karbonit për vendet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, sepse do të kishte prova që palët tona kontraktuese në rajon po punojnë për çmimet e emetimit të karbonit’, tha Janez Kopac.

Taksa e karbonit mund të jetë sfiduese për rajonin, jo për Shqipërinë

‘Më e rëndësishmja është të prezantojmë një lloj çmimi të karbonit sa më shpejt të jetë e mundur në rajonin tonë, pastaj ngadalë ta rrisim atë në nivelin e BE-së, i cili aktualisht është 30 euro për ton’, tha Kopac.

Tutje, Kopac tha se taksa e karbonit do të jetë shumë sfiduese për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjën dhe Hercegovinën, pasiqë këto vende prodhimin e energjisë elektrike e kanë të bazuar në qymyr, aktivitet përmes të cilit emetohet më së shumti karbon.

Në anën tjetër, Kopac sqaron se Shqipëria nuk do të ketë problem me taksën e karbonit, kjo pasi që vendi nuk përdor thëngjill për prodhim të energjisë elektrike.