Ish-Kryeministri Hoti kritikon gjendjen e sektorit energjetik në vend – Kriza energjetike po e rrënon ekonominë e vendit
June 24, 2025

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti tha sot se kriza energjetike po e rrënon ekonominë në vend.
Hoti në një postim në Facebook shkruan se investimet aktuale dhe të ardhshme do të ndikohen negativisht nga mungesa e qartësisë sa i përket furnizimit me energji.
“Paqartësia nuk lidhet vetëm me çmimin e lartë dhe të paparashikueshëm, por edhe me pasigurinë e furnizimit. Asnjë masë nuk është marrë tash e sa vite.
Blloqet e termocentraleve Kosova A dhe Kosova B vazhdojnë të bien nga sistemi, pasi tenderët për rinovim e mirëmbajtje vonohen me vite”, shkruan ai.
Sipas tij, centrali me gaz i Marrëveshjes së Uashingtonit u anulua në vitin 2021.
“Mjetet e parapara për atë qëllim u destinuan për projektin e baterive, por në fund humbën krejtësisht për shkak të ndryshimit të prioriteteve të politikave amerikane.
Dalja në tregun e hapur energjetik, pa i siguruar kushtet paraprake, duket se do të jetë shkatërruese për shumë prodhues. Kjo do të ketë pasoja për punësimin e mijëra punëtorëve dhe, në veçanti, do të përkeqësojë aftësitë konkurruese të prodhuesve të Kosovës në tregun vendor dhe të jashtëm, duke e thelluar edhe më tej deficitin tregtar të Kosovës”, shkruan deputeti Hoti.
/Telegrafi