Investime në objekte sociale: Ngritet Efiçienca në Mitrovicë
September 04, 2025

Fondi i Efiçiencës së Energjisë, FKEE, së fundmi ka përfunduar investimet në dy ndërtesat të banimit social, në Desi dhe Shipol të Mitrovicës së Jugut.
Drejtori i Operacioneve në FKEE, Petrit Ahmeti, në prani të Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Ministres në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, përfaqësuesit të Bashkimit Evropian, Alessandro Bianciardi, si dhe Nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri, kanë përuruar investimet në implementimin e masave të efiçiencës së energjisë në këto ndërtesa.
Ky projekt, i cili përfshin gjithsej 28 ndërtesa në 13 komuna, financohet në masën 90% nga Bashkimi Evropian dhe 10% nga komunat përfituese.
Sipas FKEE me një investimi prej 381,622€, në këto ndërtesa është kryer izolimi i çative dhe mureve të jashtme, ndërrimi i dyerve dhe dritareve, instalimi i sistemeve të ngrohjes efikase, vendosja e interfonisë dhe implementimi i masave për mbrojtje nga zjarri.
Këto dy ndërtesa sociale, të ndërtuara në vitet 2003 dhe 2005, strehojnë 39 familje ose gjithsej 173 banorë dhe për shumë vite kanë qenë pa izolim të duhur, pa dritare efikase dhe pa sisteme adekuate të ngrohjes.
Në Shipol, ndërtesa sociale e ndërtuar në vitin 2003 do të përmirësojë kushtet e jetesës për 18 familje, përfshirë 4 familje të udhëhequra nga gra. Ndërsa në Desi, ndërtesa e vitit 2005 do t’u shërbejë 21 familjeve, mes tyre 4 të udhëhequra nga gra.
Përveç ndërtesave sociale, në Mitrovicë janë renovuar edhe 9 objekte publike, duke përfshirë katër shkolla, një çerdhe, dy ambulanta në Bajgorë dhe Bare si dhe Qendrën e Kulturës.

Në të gjithë vendin në vitet e fundit FKEE ka investuar në shkolla, çerdhe, qendra të mjekësisë familjare e objekte të tjera komunale administrative në të cilat janë aplikuar masa të avancuara për ngritjen e efiçiencës së energjisë.