Hero i padukshëm titullohet punëtori i KEK i cili mundëson operimin e TC Kosova A
June 24, 2025

Në radhët e Korporatës Energjetike të Kosovës ka punëtorë që punojnë në heshtje por me përkushtim të jashtëzakonshëm për sigurinë dhe vazhdimësinë e prodhimit të energjisë.
Njëri prej tyre është Gëzim Selmani, i cili së fundmi është shfaqur si një hero i vërtetë në misionin e tij.
Në një video të publikuar nga Sindikata e Re e KEK-ut, Selmani shihet duke dalë nga kaldaja e Bllokut A5, pas një ndërhyrjeje në kushte jashtëzakonisht të vështira.
Ai hyn në një hapësirë të ngushtë dhe të rrezikshme në kuotën 49 metra brenda kaldajës, për të evidentuar rrjedhjet dhe përgatitur saldimet që janë jetike për funksionimin e bllokut dhe prodhimin e energjisë.
“Hyrja në këtë pjesë të ndërlikuar bëhet për evidentimin e rrjedhjeve të kaldajës, e më pas për përgatitjen e saldimeve dhe ndërhyrjeve teknike që sigurojnë vazhdimësinë e prodhimit të energjisë. Pjesa ku hyn është në kuotën 49 metra, derë e ngushtë – një hapësirë e kufizuar, me rrezik, por Gëzimi e kryen detyrën me profesionalizëm dhe përkushtim shembullor”, thuhet në njoftimin e Sindikatës së KEK-ut.
Përndryshe njësia A5 e termocentralit Kosova A është rikthyer në operim të hënën pas një serie ndërhyrjesh teknike të planifikuara me sukses.
Punimet përfshinë sanimin e rrjedhjeve në ritejnxehëse dhe ekonomajzer (ngrohës i ujit) dhe në ekranet e kaldajës, pastrimin me pompë të ftohësve të hidrogjenit, mirëmbajtje në pajisjet e sistemit MRRK, dhe pastrimin e kuotave rreth kaldajës për rritjen e sigurisë dhe efikasitetit.
Kryeshefi Ekzekutiv i KEK, Gramos Hashani, falënderoi ekipet teknike.
“Edhe ky rast tregon përgjegjësinë që bartin punonjësit e KEK-ut, të cilët, edhe në ditë pushimi, nuk kursejnë as përpjekjet e as profesionalizmin për të mbështetur sistemin energjetik të vendit. Ju falënderoj për angazhimin dhe jam krenar për punën që keni bërë!”, thuhet në njoftimin për media të dërguar nga KEK.
KEK ka sqaruar se gjatë startimit, që zgjat 3-4 orë, mund të ketë rritje të përkohshme të emetimeve, për shkak të procesit teknologjik të djegies që fillon me naftë dhe pastaj kalon në linjit.
Sipas njoftimit, “kjo është një dukuri e zakonshme dhe teknologjikisht e pashmangshme në të gjitha termocentralet e këtij lloji, brenda dhe jashtë vendit.”
KEK siguron qytetarët se proceset kryhen me kujdes të shtuar dhe mbikëqyrje të vazhdueshme, duke garantuar furnizim të qëndrueshëm dhe siguri teknike.
/Telegrafi