Search

Haxhimusa: Rritja e çmimit të energjisë është vetëm për ta mbajtur gjallë sistemin

30 Mars, 2023


Ekonomisti i energjisë, Adhurim Haxhimusa, ka thënë se ngritja e çmimit në faturat e energjisë elektrike është si pasojë me lëvizjet në çmime në tregun global. Ai ka thënë se ka pasur ngritje të çmimeve në materialet që përdoren në punën e investimeve që i bën KEDS-i, KOSTT-i e KESCO.

Subvencionimet në tarifa, Haxhimusa ka thënë se nuk i kanë shërbyer sistemit energjetik në përgjithësi e se më shumë ka përfituar një i pasur se qytetari i varfër.

“Kur i shikoj raportet që ZRRE i ka publikuar, këto subvencionimet që janë bërë për tarifat, këto kanë qenë për të gjitha njësoj. Nënkupton që fatkeqësisht më shumë ka përfituar një i pasur se një i varfër. Qeveria ka implementuar subvencionim të tarifave, por nuk ka implementuar sistem që i bën vlerësimin e parametrave të caktuar për ta marrë efektin e vërtet të rënies së energjisë elektrike si pasojë e thirrjes që është bë për ta reduktuar konsumin e energjisë, e jo si pasojë e rënies së temperaturave”, ka thënë Haxhimusa në “Interaktiv”.

Vendimin për subvencionim ai e ka parë si qasje selektive në zgjidhje të problemeve afatshkurtra në kosto të efiçiencës dinamike. Sipas Haxhimusës, edhe tarifat e ulëta nuk mund të mbahen derisa sistemi energjetik kolapson. Ai ka theksuar se duhet të forcohet sistemi, të investohet për vitet në vazhdim.

I pyetur për ngritjen prej 15%, ai ka thënë se ajo nuk do ta stabilizojë sistemin energjetik e as që do të shkojë në favor të KEDS-it.

“As nuk do të ketë stabilitet energjetik por as KEDS-i nuk do të fitojë. Këto ngritje janë vetëm që ta mbajnë gjallë sistemin. Nuk janë tarifat që e reflektojnë koston e vërtetë të sistemit elektroenergjetik. Me këtë ngritje 15% nuk garantojmë ne që do të kemi sistem stabil apo furnizim stabil me energji elektrike, në të njëjtën kohë do të kemi edhe çmime të arsyeshme”.

Haxhimusa ka deklaruar se çfarë nevojitet është reflektimi në koston e furnizimit me energji.

“Pyetja është se kjo ngritje a do të ndikojë në furnizim stabil me energji. Mund të themi këtë vit dhe vitin e ardhshëm, por fatkeqësisht kjo formë e ngritjes së tarifave, kjo qasje selektive, krijon pasiguri te investitorët dhe është në koston e furnizimit stabil në të ardhmen. Duhet të ketë reflektim të vërtet të kostos së furnizimit me energji elektrike”, ka thënë ai.

Më 1 prill do të hyjnë në fuqi tarifat e reja të energjisë elektrike me rritjen e çmimit prej 15 për qind.

/Koha.net