Hapet dega KESCO Premium në Qendër të Prishtinës
August 02, 2023
Leximi i këtij artikulli zgjatë: 2 minuta
Me qëllim që të ofrojë edhe më shumë lehtësira për konsumatorët, KESCO ka hapur pikën e re në qendër të kryeqytetit-KESCO Premium Center.
Kjo pikë do t’u shërbejë konsumatorëve për pagesa të energjisë elektrike, por edhe për kërkesa të konsumatorëve të të gjitha kategorive. Kujdes i veçantë i është kushtuar bizneseve, të cilat do të kenë zyre të veçanta dhe do të trajtohen me prioritet.
Në hapjen solemne të kësaj dege, Drejtoresha për Shërbime me Konsumatorë, Çështje Rregullative dhe Tarifa, Rudina Heroi – Puka, tha se ky rast shënon një hap të rëndësishëm për të qenë në sinkron me kërkesat e konsumatorëve.
“Hapja e KESCO Premium Center dëshmon angazhimin tonë të vazhdueshëm për të qenë në hap me zhvillimet inovative dhe kërkesat e konsumatorëve, duke ofruar shërbime cilësore e moderne, të cilat janë gjithmonë e më pranë dhe lehtësisht të disponueshme për konsumatorët tanë. Përmes punëtorëve tanë të trajnuar dhe profesionalë synojmë të ofrojmë shërbime të personalizuara dhe profesionale, përfshirë pagesat e sigurta, të shpejta duke përdorur teknologjitë më të avancuara”, tha ajo.