Search

KESCO rrit transparencën në fatura, tregon sa paguajnë konsumatorët për secilin shërbim dhe kompani

06 Qershor, 2024


KESCO njofton se që nga faturat e muajit Maj ka shtuar disa rubrika të çmimeve në faturat e energjisë elektrike. Kjo është bërë për të rritur tutje transparencën.

Për të pasur energji, duhen ndjekur disa procese, e secila ka kosto. Energjia elektrike së pari prodhohet ose kur ka mungesë prodhimi vendor importohet nga jashtë. Pastaj ajo duhet të kalojë në sistemin e transmetimit, për çka krijohet një kosto tjetër shtesë. Pas saj, duhet të bëhet distribuimi i energjisë elektrike që ka koston e vet dhe në fund furnizimi.

Tashmë, konsumatorët që kanë pranuar faturat e muajit të fundit i kanë edhe rubrikat sa po paguajnë veç e veç për secilin shërbim. Nuk bëhet fjalë për ndonjë kosto shtesë, por vetëm për informim shtesë. Pra, kjo nuk është asgjë tjetër, pos shpjegim i mëtutjeshëm i tarifave të energjisë elektrike. Tashmë në faturë, brenda çmimeve konsumatorët e dinë saktë sa po paguajnë për Furnizuesin e Shërbimit Universal (KESCO), për Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (KEDS), për Operatorin e Sistemit të Transmisionit (KOSTT) dhe për Burimet e Energjisë së Ripërtrishme (BRE).

Ndarja e kostove në faturë bëhet sipas të Hyrave të Lejuara Maksimale për Furnizuesin me Shërbim Universal, të aprovuar në baza vjetore nga Zyra e Rregullatorit për Energji. Ndarja e faturës sipas pjesëmarrjes së kostove për energjinë e shfrytëzuar është kërkesë ligjore e cila buron nga Rregulla për “Kushtet e Përgjithshme të Furnizimit me Energji”. Pra, kjo nuk është kosto shtesë, por kjo ndarje tregon se sa është kostoja që konsumatori paguan për shpenzimet e tij elektrike veç e veç për secilin shërbim dhe secilën kompani të involvuar që kryen ato shërbime.

Rritja e transparencës është në koherencë edhe me zotimin e KESCO-s që të ndërtojë partneritet të nivelit sa më të lartë më konsumatorët, si kushti kryesor i mbarëvajtjes së punëve dhe avancimit të mëtutjeshëm të shërbimit me energji elektrike.