Search

Greqia subvencionon projekte solare për të furnizuar familjet në nevojë me rrymë pa pagesë

15 Qershor, 2021


Qeveria lokale në Athinë ka ndarë 100 milion euro në formë të subvencioneve për ndërtimin e pajisjeve fotovoltaike që do të prodhojnë rrymë për të furnizuar pa pagesë familjet në nevojë.

Ministri i Mjedisit dhe Energjisë, Kostas Skrekas ka thënë se Greqia do të ndaje fonde për komuna dhe rajone për të instaluar projekte solare me kapacitet të përgjithshëm të instaluar prej 120 megavatësh, ndërsa rryma e prodhuar do të përdoret ekskluzivisht për të furnizuar familjet në nevojë pa pagesë.

Ministri Skrekas ka thënë se sipas parallogaritjeve, 30,000 amvisëri në Greqi do të përfitojnë furnizim pa pagesë me energji elektrike nga ky program.

Fondet për projektin vijnë nga Plani Kombëtar për Rimëkëmbje dhe Zhvillim Greqi 2.0, ka thënë Skrekas, ndërsa ka konfirmuar se janë ndarë 100 milion euro për projektin.

Ndryshe, pak kohë më parë Komuna e Volos ka konfirmuar planet për instalimin e dy projekteve solare në vlerë prej 30 milion eurosh, për të prodhuar rrymë për ndërtesa publike. Rryma e tepërt e prodhuar do të distribuohet tek konsumatorët dhe amvisëritë në nevojë.

Skrekas ka thënë se fonde shtesë prej 40 milion eurosh do të përdoren për të subvencionuar zëvendësimin e 2,000 taksive me vetura elektrike.