Search

Gjykata e Lartë pezullon ndërtimin e hidrocentraleve në Valbonë

22 Korrik, 2021


Gjykata e Lartë në Shqipëri vendosi të mërkurën pranimin e kërkesës për pezullimin e kontratës së ndërtimit të 2 HEC-eve në Valbonë nga kompania Gener 2 e Dragobia Energy SHPK, si masë e sigurimit të padisë deri në marrjen e një vendimi të prerë në lidhje me çështjen.

Kërkesa ishte paraqitur nga pala paditëse që përbehet nga banorët 27 fshatrave të Bashkisë Tropojë, Shoqata “TOKA” dhe Shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Alpeve Shqiptare, të përfaqësuar nga zyra e avokatisë KALO & ASSOCIATES.

Në vitin 2017 e njëjta kërkesë nuk u pranua nga Gjykata Administrative, e cila vendosi për ndërtimin e hidrocentraleve.

Banorë dhe aktivist mjedisor kanë protestuar aktivisht vitet e fundit kundër ndërtimit të hidrocentraleve në Valbonë, duke argumentuar se ato do të dëmtojnë vlerat unike të ekosistemit të luginës dhe, gjithashtu, edhe potencialin turistik të zonës.

Lejet për ndërtimin e hidrocentraleve në këtë pjesë të Alpeve të Shqipërisë u dhanë nga qeveria Berisha, por ato nuk u anuluan nga qeveria Rama. Në këtë zonë janë dhënë 14 koncensione për ndërtimin e HEC-ve, ku 8 prej tyre janë parashikuar brenda Parkut Kombëtar.

Puna për ndërtimin e dy prej hidrocentaleve në Valbonë ka nisur në vitin 2016 dhe, që nga ajo kohe, punimet kanë avancuar.