Search

Gjeorgjia dhe Rumania fillojnë përgatitjet për linjë nën-ujore transmetimi në Detin e Zi

06 Shtator, 2022


Gjeorgjia është duke përgatitur studime fizibiliteti për një linjë të mundshme interkoneksioni me Rumaninë, raporton Balkan Green Energy Neës.

Linja pritet të kusthojë rreth 2 miliardë euro, ndërsa në projekt kanë shprehur interesimin të bashkëngjiten edhe Hungaria dhe Azerbajxhani.

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Evropa është duke gjetur mënyra për diversifikimin e burimeve energjetike. Në këtë kontekst, linjat interkonektive janë të nevojshme për të mundësuar transmetimin e energjisë elektrike.

Gjeorgjia tashmë ka kontraktuar një ndërmarrje nga Italia për të bërë studimet e nevojshme të fizibilitetit për ndërtimin e linjës së re interkonektive nën-ujore në Detin e Zi me Rumaninë, ndërsa Rumania është ftuar t’i bashkëngjitet këtij projekti në mars.

Hungaria ka thënë muajin e kaluar se do t’i bashkohet projektit, e edhe Azerbajxhani ka thënë se është i interesuar të përdorë këtë linjë.

Gjeorgjia ka siguruar fonde nga Banka Botërore për të bërë studimet e fizibilitetit, në vlerë prej 2.5 milion eurosh. Studimet pritet të përfundojnë në fund të vitit tjetër.

Në rast se ndërtohet, linja e re nën-ujore 500 kV do të ketë gjatësi prej 1,100 kilometrash, dhe do të ndërlidhë nënstacionin Anaklia në Gjeorgji me atë Constanta Sud në Rumani. Linja do të përmbajë edhe një kabllo për telekomunikim.

Linja do të ketë kapacitet prej 1 gigavatësh.

Ndërkohë, ka disa projekte tjera të linjave interkonektive nën-ujore që po diskutohen dhe zhvillohen për momentin. Pak kohë më parë, Greqia dhe Arabia Saudite kanë filluar diskutimet për zhvillimin e një linje nën-ujore.

Përvec linjës me Arabinë Saudite, Greqia është duke punuar edhe në linja tjera të mundshme nën-ujore me Qipron, Izraelin dhe Egjiptin, si dhe një tjetër me Italinë.

Edhe Qipro planifikon një linjë të ngjashme me Egjiptin.