Search

Gazsjellësi TAP transporton 5 miliardë metra kub gaz në Evropë

17 Shtator, 2021


Që prej kur kishte filluar operimin në dhjetor të vitit të kaluar, gazsjellësi TAP ka transportuar në total 5 miliardë metra kub gaz natyror nga Azerbajxhani në Evropë, thuhet sot në një deklaratë nga kompania që operon me këtë gazsjellës, TAP AG.

TAP lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian të Gazit Natyror (TANAP) në kufirin turko-grek, dhe bën transportimin e gazit natyror nga fusha Shah Deniz në pjesën e Azerbajxhanit në Detin Kaspik në Evropë.

Gazsjellësi me gjatësi prej 878 kilometrash, pasi lidhet me TANAP në kufirin turko-grek në Kipoi, kalon përmes Greqisë, Shqipërisë dhe Detit Adriatik dhe del në brigjet në jug të Italisë.

“Jemi shumë të kënaqur që arritëm këtë moment historik të rëndësishëm dhe konsoliduam rolin e TAP si një operator të besueshëm të sistemit të transmisionit në sistemin evropian të energjisë. Përveç mundësimit të sigurisë dhe diversifikimit të energjisë në tregje të shumta, sasitë e gazit të shpërndara përmes TAP mbështesin tranzicionin energjetik të vendeve, veçanërisht në Evropën Juglindore”, tha Luca Schieppati, drejtor menaxhues i TAP.

Ai shtoi se TAP do të shikojë mbi mundësitë e transportimit të burimeve tjera të energjisë e që nuk emetojnë karbon, siç është hidrogjeni. Kësisoji, TAP do të ndihmojë në zovgëlimin e emetimeve në përputhje me objektivat e tranzicionit të energjisë të Bashkimit Evropian.

Gazsjellësi i TAP ka kapacitet për të transportuar rreth 10 miliardë metra kub në vit në disa tregje në Evropë. Gazsjellësi ka të hapur mundësinë e zgjerimit të kapacitetit të transportimit në 20 miliardë metra kub në vit, thuhet në deklaratë.

Aksionarët e TAP janë SOCAR-BP dhe Snam me nga 20 për qind, Fluxys me 19 për qind, Enagas me 16 për qind dhe Axpo me 5 për qind.