Search

Gazi i lëngshëm si burim energjie në Kosovë, njohës të energjisë e shohin si opsion të mirë

27 Qershor, 2022


Kosova dhe Shqipëria në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi që parasheh mundësinë që Kosova të jetë pjesë e projektit për gazin e lëngshëm përmes portit të lundrueshëm të Vlorës. Njohës të fushës së energjisë vlerësojnë se gazi i lëngshëm është mundësi e mirë për furnizim në kohë krizash, megjithatë Kosova duhet të orientohet në burimet e ripërtëritshme, shkruan teve1.

Kosova në një të ardhme të afërt mund të shfrytëzojë si burim energjie gazin e lëngshëm natyror nga Shqipëria.

Kjo mund të bëhet pasi termocentrali i Vlorës të shndërrohet në central me gaz, përcjell teve1.

Kjo u bë e mundur përmes një memorandumi bashkëpunimi që u nënshkrua në mbledhjen e përbashkët mes qeverisë së Kosovës e Shqipërisë.

Njohësi i çështjeve energjetike, Lulzim Syla vlerëson se përdorimi i gazit të lëngshëm mundëson mbulimin e nevojave për energji në kohëra krizash.

“Me automatizëm pas dy apo tri viteve kur parashihet që të kryhet ky central i gazit Kosova e ka një komoditet më të mirë në aspektin e sigurisë energjetike në nivel kombëtar kështu që rrit sigurinë për furnizim të rregullt dhe krijon mundësi për një dekarbonizim më të shpejt të vendit”, thotë Syla.

Përdorimin e gazit natyror si burim energjie e sheh vetëm si hap transitor drejt burimeve të ripërtëritshme profesori i energjetikës, Vezir Rexhepi, raporton teve1.

“Unë e konsideroj si të rëndësishëm edhe këtë memorandum bashkëpunimi mes KS dhe ALB për shfrytëzimin e gazit të lëngshëm natyrisht si fazë po them transitore sepse në vitin 2050 sipas marrëveshjes së Parisit parashihet që lëndët fosile të mos përdoren si lëndë e parë për prodhimin e energjisë elektrike”, thotë Rexhepi.

Mbi 90 për qind e energjisë elektrike në Kosovë prodhohet nga mihja e thëngjillit dhe nxjerrja e linjitit, ndërsa pjesa tjetër nga burime të ripërtërishme.

//teve1

Kosova synon përfshierjen në projektin e gazit amerikan në Vlorë, dy vendet nënshkruajnë marrëveshje për energjinë

Lexo më shumë