Search

FKEE: Nga e ftohta në komoditet – me anë të investimeve rivitalizohet Qendra e Kulturës në Mitrovicë

July 16, 2025


Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, FKEE, publikon investime e kryera në Qendrën e Kulturës së qytetit të Mitrovicës.

“Ky objekt ka qenë shumë i ftohtë, dimrit krejt pak ndryshonte temperatura nga jashtë brenda. Problem edhe më i madh ka qenë rrjedhjet e kulmit që preknin direkt ngjarjet kulturore dhe si pasojë e tyre nuk mund as të investonim në enterier të brendshëm.” – shpjegon Naser Hajdari, Drejtor i Qendrës së Kulturës në Mitrovicë.

Sipas FKEE, pas implementimit të masave të efiçiencës së energjisë nga FKEE, që në vitin e parë pas investimeve, Qendra e Kulturës në Mitrovicë ka rifituar funksionalitetin dhe hijeshinë.

“Është fat që FKEE ka realizuar këtë projekt. Gjatë dimrit ambientet kanë qenë shumë më të ngrohta, aktivitetet janë zhvilluar pa probleme, dhe kemi pasur shumë më shumë vizitorë. Tash jemi në proces të riaktivizimit të sallave që më herët ishin jashtë funksioni për shkak të rrjedhjeve. Objekti duket shumë më bukur dhe ndjehet qartë kursimi i energjisë.” – thotë Hajdari.

Me një sipërfaqe prej rreth 7,000 m², kjo qendër është shtëpi e jetës kulturore në qytet, në të cilën zhvillojnë aktivitete organizata të ndryshme dhe mbahen koncerte, shfaqje teatrore, promovime librash, ekspozita e shumë më tepër. Brenda saj ndodhet edhe arkivi ndërkomunal, i cili më parë rrezikohej nga lagështia dhe rrjedhjet.

Masat e implementuara nga FKEE përfshijnë:

  • Izolimin e jashtëm të objektit
  • Hidroizolimin e kulmit
  • Ndërrimin e dritareve dhe dyerve të jashtme
  • Vendosjen e ndriçimit LED efiçient
  • Instalimin e sistemit të ngrohjes me pelet