Elektroseveri s’e njeh Kosovën, BE-ja e quan problem teknik
September 19, 2022

Kompania serbe, Elektrosever, e licencuar për furnizimin e veriut të Kosovës me energji elektrike, nuk i ka plotësuar ende kushtet që ia përcakton udhërrëfyesi për Marrëveshjen për Energji ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Marrëveshja duhet të fillonte së implementuari brenda 100 ditësh, pas nënshkrimit, por, ky afat pritet të mos respektohet, pasi që kompania serbe, Elektrosever, e licencuar për furnizimin e veriut të Kosovës me energji elektrike, nuk i ka plotësuar ende kushtet që ia përcakton udhërrëfyesi për Marrëveshjen për Energji ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Sipas raporteve të mediave, “Elektrosever” ka vendosur fusnotë në çdo pjesë të dokumentit, ku duhej të figuronte Republika e Kosovës.

ZRRE: Elektrosever s’ka përmbushur asnjë kriter
Nga Bashkimi Evropian, këto vonesa po i quajnë teknike, por të njejtat po konsiderohen puro politike nga e para e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.
Kusari thotë se Qeveria e Kosovës këto probleme do t’i adresojë menjëherë tek partnerët ndërkombëtarë.
Ndonëse i kanë mbetur më pak se tri javë për një gjë të tillë, nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) në Kosovë thonë për Radion Evropa e Lirë se, në bazë të informacioneve që kanë, asnjë nga kriteret e përcaktuara “nuk është përmbushur”.
Marrëveshja për Energji parasheh që qytetarët në veri të Kosovës të paguajnë për rrymën e shpenzuar nga vjeshta e këtij viti – për herë të parë pas më shumë se dy dekadash.

Komuniteti i Energjisë: Serbia po pengon tregtinë e energjisë elektrike me Kosovën
Udhërrëfyesi për Marrëveshjen e Energjisë përcakton se, në rast të mosveprimit me kushtet e caktuara brenda 100 ditësh nga licencimi, Elektrosever-it mund t’i pezullohet ose tërhiqet licenca nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.
Megjithatë, një vendim i tillë do të duhej të diskutohej paraprakisht mes palëve, përkatësisht mes Kosovës dhe Serbisë. ZRRE i ka miratuar licencën Elekstrosever-it më 24 qershor, apo para 82 ditësh.
Ndryshe, funksionimi i sektorit të energjisë elektrike në Kosovë në vazhdimësi po pengohet nga Serbia. Përveç problemeve në veri, Serbia gjithashtu ka kufizuar kapacitetet transmetuese për Kosovë.
E pikërisht për shkak se kishte penguar tregtinë e energjisë elektrike me Kosovën, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka filluar procedurat ndaj Serbisë.