Search

Elektroseveri padit ZRRE’në dhe ARBK’në, i bën “telashe” gjykatat që ta marrin vendimin më shpejt

May 18, 2023


Leximi i këtij artikulli zgjatë: 5 minuta

Elektrosever, kompania serbe e licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji për shpërndarje dhe faturim të energjisë elektrike në komunat veriore, ka paditur këtë të fundit bashkë me Agjencinë e Regjistrimit të bizneseve të Kosovës. Lënda e Elektroseverit është dërguar nga Gjykata Themelore në Prishtinë në Gjykatën Komerciale për trajtim. Kompania ka pretenduar për zgjatje të gjykimit, andaj iu është drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Në një aktvendim të publikuar dje nga Kushtetuesja, njoftohet për herë të parë për padinë e “Elektroseverit” kundrejt ZRRE-së dhe ARBK-së. Kompania serbe me seli në veri të Mitrovicës ka paditur ZRRE-në lidhur me dhënien e licencës. Sipas Elektroseverit, në licencën ndaj tyre nuk iu është ofruar mundësia për vazhdim të licencimit, sikurse ka ndodhur me licencat e tjera.

“Parashtruesi i kërkesës pretendon se dispozitat e vendimit për licencë të lëshuar nga ZRRE-ja janë në kundershtim me ligjet e Republikës së Kosovës për energjinë kryesisht lidhur me afatet e kohëzgjatjes së licencës. Në këtë drejtim, parashtruesi i kërkesës thekson: “Në nenin 25 të Licencës permendet afati i vlefshmërise së licencës 23.06.2027, mirëpo, krahas afatit të përmendur nuk qëndron dispozita e cila gjendet në licencat e tjera të lëshuara, e që parasheh mundesine e vazhdimit te saj, kesisoj mbajtesi i licences mund qe me se voni gjashte muaj para skadimit te afatit te licences te parashtroj kerkese per vazhdimin e së njejtës, e kjo në pajtim me nenin 32, paragrafi 3 i Ligjit për Rregullatorin e Energjise dhe nenin 19 të Rregulles për licencimin e aktiviteteve të energjisë””, thuhet në aktvendimin e Kushtetueses.

Një nga shqetësimet kryesore të Elektroseverit është edhe skadimi i datës për licencim.

Mirëpo, ZRRE-ja ka bërë të ditur në komentet drejtuar gjykatës se “Elektrosever” është pajisur me licencë përbrenda tri ditësh.

Në anën tjetër, arsyeja e padisë së ARBK-së nga ana e “Elektrosever” është mos-autorizimi për zgjerimin e aktivitetit të tyre për shpërndarje të energjisë elektrike, sipas Marrëveshjes për Energjinë, të arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kërkesa që Elektroseveri ia ka dërguar Gjykatës Kushtetuese është marrja parasysh e, siç pretendojnë ata, zgjatjes së procedurës së gjykimit kundër dy palëve të lartcekura. Kompania serbe kishte iniciuar padi ndaj ARBK-së dhe ZRRE-së më 2021-ën.

Siç njoftohet në aktvendimin e Kushtetueses, lënda për të dy rastet ka kaluar nga Gjykata Themelore e Prishtinës në Gjykatën Komerciale. Gjykata Komerciale në komentet e tyre ka paralajmëruar zgjatje të marrjes së vendimit, për shkak të numrit të madh të lëndëve për shkak të natyrës së njëjtë.

“Gjykata Komerciale njoftoi Gjykaten se me Vendimin nr. 347/2022 të Keshillit Gjyqësor të Kosovës të datës 28.07.2022, lënda e parashtruesit të kërkesës është transferuar nga Gjykata Themelore tek Gjykata Komerciale. Gjykata Komerciale theksoi se sapo ka filluar me trajtimin e lëndëve të pranuara nga gjykatat tjera dhe se janë afër 1,000 lendë më të vjetra me prioritet të trajtimit të njejtë derisa lënda e parashtruesit të kërkesës do të trajtohet sipas radhës së regjistrimit dhe kohës së dorëzimit të padisë në gjykatë”, thuhet në komentin e Komerciales.

Gjykata Kushtetuese ja ka rrëzuar pretendimet drejtorit të Elektroseverit, Boban Novakoviq, për shkelje të të drejtave të njeriut si shkak i zgjatjes së procedurës së gjykimit.