Search

Dimri i butë e “lehtësoi” gjendjen elektroenergjetike në Kosovë

29 Mars, 2024


Në dimrat në dy vjetët e fundit (2022-2023 dhe 2023-2024), nuk u shpërfaq ashpërsisht shpërputhja e madhe ndërmjet prodhimit dhe nevojës për energji elektrike, që do të thotë se konsumatorët nuk e ndjenë edhe aq mungesën e rrymës dhe ashpërsinë e regjimit të reduktimeve sikundër në disa dimra përpara.

Dimrat e butë, në njëfarë mënyre, kanë “favorizuar” edhe prodhuesit, edhe shpërndarësit, e edhe furnizuesit e Kosovës me energji elektrike, por edhe konsumatorët.

Dimrat me shumë pak ditë të acarta dhe me më shumë ditë me temperaturë të pranueshme, që mbajtën në dy vjetët e fundit (2022-2023 dhe 2023-2024), kanë favorizuar në njëfarë mënyre edhe prodhuesit e energjisë elektrike, edhe shpërndarësit, e edhe furnizuesit e Kosovës me energji elektrike. Ky fakt flet goxha bindshëm se këta dimra i kanë shkuar për shtati tërë sistemit elektroenergjetik të vendit.

Thjeshtë, është konsumuar më pak energji elektrike për ngrohje në Kosovë (ngrohja me rrymë është shpenzuesi absolutisht më i madh në konsumin e Kosovës), dhe kështu, në shumicën e ditëve, në këta dy dimra, të gjitha hallkat e sistemit elektroenergjetik të vendit janë kursyer jo pak edhe nga problemet e shumta që janë pasojë e kërkesave të mëdha për rrymë gjatë temperaturave të acarta: janë kursyer nga shpenzimi i shumave marramendëse për të importuar më shumë energji elektrike nga prodhuesi dhe furnizuesi, pavarësisht se KEDS/KESCO jo në pak raste kanë paraqitur goxha gjendje alarmuese nga mungesa e rrymës së prodhuar në vend, respektivisht nga shpenzimet për import të kushtëzuar të energjisë elektrike.

Tashmë ka vite që dihet se me ardhjen e ditëve të ftohta dhe të acarta, në Kosovë shpërfaqet shpërputhje ndërmjet prodhimit dhe nevojës për energji elektrike, që do të thotë ka mungesë herë-herë të ndjeshme dhe të theksueshme të rrymës. Por, në dimrat e fundit, jo edhe aq të zakonshëm për klimën kontinentale tipike të Kosovës, nuk pati shumë ditë të këtilla. Prandaj, realisht nuk pati edhe aq shumë nevojë për import të energjisë elektrike.

Në të shumtën e ditëve, për të përmbushur nevojat e konsumit të Kosovës, gjithsesi të rritura në ditët dimërore me temperatura të buta, ka mjaftuar energjia e prodhuar në termocentralet e vendit. Prodhimi i termocentraleve Kosova B (në shumicën e ditëve dimërore kanë qenë në funksion të dy blloqet: B1 dhe B2 me gjithsej 520 megavatë-orë) si dhe dy blloqe të Kosova A (A3 dhe herë A5, herë A4) me nga 130 megavatë-orë, ose bashkarisht me 260 megavatë) si dhe sasia tashmë e përhershme prej disa dhjetëra megavatësh nga kapacitetet e prodhimit të energjisë së rinovushme (minihidrocentralet e vogla dhe parqet energjetike të erës në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Kamenicës) dhe huazimi nga Shqipëria i një sasie të theksueshme të rrymës, sidomos gjatë mungesave të shprehura në rastet e defekteve tenike të paplanifikuara, e krijuan një gjendje shumë më të pranueshme elektroenergjetike në vend.

Në dimrat e apostrofuar me ditë të pakta me temperatura minus, tejkaluan vetveten praktikisht edhe struktura e kapaciteteteve prodhuese të energjisë elektrike (rreth 95 për qind e tyre e bazuar në qymyr), por edhe stërvjetërsia e termocentraleve aktuale. Thjeshtë, nuk u shpërfaq ashpërsisht me ardhjen e ditëve të ftohta shpërputhja e madhe ndërmjet prodhimit dhe nevojës për energji elektrike, që do të thotë se konsumatorët nuk e ndjenë edhe aq mungesën e rrymës dhe ashpërsinë e regjimit të reduktimeve sikundër në disa dimra përpara.

Edhe ditët e fundit, me temperatura ende dimërore por më të buta, respektivisht nga 1 deri më 20 mars të këtij viti, megjithë përdorimin evident të shumtë të aparaturave dhe stabilimenteve ngrohëse, sipas të dhënave të zyrtarëve të KESCO-s, konsumi mesatar ditor edhe në orët e pikut, kur në Kosovë shpenzohet më së shumti rrymë, konsumi nuk ka kaluar 1 mijë megavatëshin.

Ndërsa në 20 ditët e para të marsit, konsumi mesatar ditor, siç ka thënë për Buletinin Ekonomik zëdhënësja e KESCO-së, Margarita Rashiti, ka qenë diku rreth 17. 196 MWh.

Ndërkohë, Buletini Ekonomik ka mësuar se prodhimi aktual në termocentralet e Kosovës është diku rreth 750-780 megavatë-orë. Siç dihet, në punë gjenden të dy blloqet e termocentraleve Kosova B, me kapacitet 260 megavatë secili bllok, dhe dy blloqe të Kosova A , që kanë kapacitet nga 130 megavatë-orë, ose 260 bashkarisht. Kësaj sasie duhet shtuar edhe sasia e rrymës së prodhuar nga kapacitetet e energjisë së rinovueshme që ka aktualisht Kosova, e që janë parqet me erë në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Kamenicës si dhe disa minihidrocentrale.

Kjo gjendje elektroenergjetike ka mbizotëruar pak a shumë gjatë dimrave të fundit që u karakterizuan me temperatura të buta për shumë ditë me radhë. Dhe, këto temperatura ishin një ndihmesë e padiskutueshme për sistemin elektroenergjetik të vendit. Por, duhet rikujtuar se në Kosovën kontinentale pati dhe do të ketë edhe dimra të ashpër, me shumë ditë të acarta, që doemos me këto kapacitete të prodhimit të rrymës, do të krijojnë kriza energjetike të pashmangshme.

Kosova “ka paguar haraqin” e krizave energjetike goxha shpesh deri në këta dimrat e fundit, dhe sidomos gjatë fundit të 2021-tës. Në këto raste u pa dhe u bindën të gjithë se Kosova nuk ka rrymë të mjaftueshme të prodhuar nga kapacitetet e veta (termocentralet ekzistuese dhe kapacitetet numerikisht të papërfillshme të energjisë së rinovueshme).

Më konkretisht: një tërheqje e ndonjë njësie ekzistuese të prodhimit qoftë në termocentralet Kosova B, qoftë në Kosova A, për shkaqe të defekteve, ose të riparimeve të planifikuara, përnjëherë ka shkaktuar mungesë të ndjeshme të rrymës, të cilën për ta pasur domosdo, Kosova ka qenë e detyruar të importojë, pavarësisht çmimeve rëndom të larta në këto vite, të huazojë nga Shqipëria në bazë të marrëvesghjeve për këmbim të energjisë elektrike, ose të reduktojë energjinë në përmasa të territ me orë të tëra. Të gjitha këto kanë ndodhur, sidomos, në këto tre-katër vjet (Kosova ka importuar në shumë raste, ka huazuar, po kështu, në shumë momente nga KESH-i, por edhe ka reduktuar me orë të tëra, në pamundësi të importit dhe të huazimit nga Shqipëria), në periudha të caktuara, e sidomos në ditët me ngrica të dimrit.

Ç’është e vërteta, edhe të dhënat rreth sasisë së prodhimit vendor që kanë në dispozicion KEDS-KESCO, dhe të dhënat rreth importit gjatë këtyre ditëve janë goxha të ndryshme, dhe të papërputhshme me ato të zyrtarëve të KEK-ut. Zyrtarët e kompanisë së shpërndarjes së rrymës në Kosovë (KEDS) dhe ata të furnizimit të konsumit me energji (KESCO), kanë thënë për medie këto ditë se brenda 20 ditëve të marsit të sivjetshëm kanë importuar rreth 3 milionë euro energji elektrike.

Në anën tjetër, një zyrtar i lartë në KEK, njohës i mirë i zhvillimeve në sistemin elektroenergjetik të Kosovës dhe me përvojë shumëvjeçare, që do të mbetet anonim, ka shpjegim tjetër rreth importit, por edhe të dhëna krejtësisht tjera rreth shifrave të energjisë së importuar këtyre ditëve. Sipas tij, KEK-u për shkak të strukturës së kapaciteteve prodhuese (95 për qind të tyre janë termocentralet në bazë të linjitit), ka probleme serioze të përmbushjes së nevojave të shpërndarësit dhe furnizuesit në të gjitha ditët dimrore. Me këtë strukturë prodhimi të rrymës, gjatë natës ka teprica të konsiderueshme (ka ndodhë shpesh herë që brenda një nate të ketë edhe deri në 1.300 megavat- teprica), të cilat KEK-u kushtimisht duhet t’i eksportojë (t’i shesë në tregun ndërkombëtar të energjisë, ose t’ia huazojë KESH-it), por jo gjithherë gjendet treg për ta bërë këtë.

Por, ai i konteston të dhënat e KESCO-së, të bëra publike për sasinë e importuar të rrymës në këto ditët e kaluara të marsit. Sipas tij, KEDS/KESCO gjatë këtij muaji nuk janë ankuar se ka mungesa të ndjeshme të furnizimit nga KEK-u. Ai ka argumentuar kontestimin e shifrave të importit, të deklaruara nga KESCO, duke shtuar se “edhe çmimet e rrymës në tregun ndërkombëtar tashmë janë ndjeshëm, madje edhe 5-6 fish më të lira se në kohën e krizës”. Sipas tij, gjatë dimrit 2023/2024, në krahasim me dy-tre vjet më përpara, edhe në raste të nevojave për import të kushtëzuar, çmimet në treg janë shumë më të favorshme për importuesit.

/Buletini Ekonomik