Search

Dëmtohet kablli nëntokësor nga nënkontraktori i Komunës, qendra e vaksinimit në Prizren pa rrymë

16 Gusht, 2021


Të premten, në qendrën e vaksinimit në Prizren, salla “Sezai Surroi”, vaksinimi i qytetarëve ndaj COVID-19 nuk shkoi si duhet. Kjo për shkak të mungesës së rrymës në këtë sallë vaksinimi pas dëmtimit të kabllove nëntokësore nga një kontraktor i Komunës së Prizrenit.

Ekipet e KEDS-it kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, e kanë hapur gropën dhe kanë sanuar problemin.

KEDS ka kërkuar nga të gjitha palët të jenë më të përgjegjshme dhe t’i referohen hartave të shtrirjes së rrjetit nëntokësor atëherë kur intervenojnë në infrastrukturë, sidomos në qytete, pasi kjo po afekton qytetarët.

‘Paraqitja e rasteve të tilla është e papranueshme, pasi nga veprimet e atyre kontraktorëve është penguar direkt procesi i vaksinimit të popullatës, që është jetik në këto ditë’, ka shkruar KEDS, ndërsa ka kërkuar mbikqyrje më të rreptë të punëve të kontraktorëve nga institucionet përkatëse.