Search

Dardan Abazi: Qymyri nuk ka të ardhme në këtë vend

07 Qershor, 2021


Dardan Abazi, Drejtor i Programit dhe Hulumtues në INDEP ka thënë se qymyri nuk ka të ardhme në Kosovë. Këtë thirrje Abazi e bëri në ngjarjen që shënoi festën e Ditës Ndërkombëtare të Mjedisit, në kuadër të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë.

Abazi, Drejtor i Programit dhe Hulumtues i Lartë tek INDEP, ndër përfaqësuesit më të zëshëm të zhvillimit të qëndrueshëm dhe energjisë së gjelbër në Kosovë, theksoi se qytetarët e Kosovës po festojnë këtë ditë në një mjedis ku, përveç tjerash, mbi 90% e energjisë prodhohet nga linjiti, forma më ndotëse e prodhimit të energjisë.

“Sot shënojmë ditën e mjedisit në një mjedis ku mbi 90% të energjisë sonë prodhohet nga linjiti, në një mjedis ku nuk kemi rregulluar çështjen e trajtimit të mbetjeve, veçanërisht mbetjeve industriale, në një mjedis ku ende nuk kemi investuar në efiCensën e enegjisë, dhe në një mjedis ku na ngrohë një diell aq i pasur por ende nuk e kemi funksionalizuar atë për të prodhuar energji elektrike të mjaftueshme për ne”, tha Abazi.

Tutje, derisa sqaroi rolin dhe kontributin e shoqërisë civile në drejtimin për t’I ofruar Kosovës politika të qëndrueshme, ai tha se vetëm angazhimi i shoqërisë civile dhe qytetarëve nuk është i mjaftueshëm, teksa bëri thirrje drejt institucioneve për realizimin e agjendës së gjelbër.

“Duhet ta themi me qartë dhe me zë të lartë që qymyri nuk ka të ardhme në këtë vend, që e ardhmja e këti vendi do të jetë e gjelbërt, që investimet duhet të fokusohen në energjinë e ripërtërishme, në ndryshimin e stilit tonë të jetës, dhe në dekarbonizimn e plotë të të gjithë proceseve socio-ekonomike në vend”, tha ndër të tjera Abazi.