Search

CWP do të ndërtojë parkun solar 150 megavatësh në Zajeçar të Serbisë

25 Shkurt, 2022


Kompania e energjisë së ripërtëritshme, CWP synon ndërtimin e një parku solar 150 megavatësh afër Zajeçarit në Serbi. Projekti i emëruar ‘Solarina’ do të jetë projekti i dytë solar i kësaj ndërmarrjeje në Serbi, ndërsa po vazhdon ndërtimin e parkut 50 megavatësh afër Sjenicës, ka raportuar Balkan Green Energy News.

Autoritet në Zajeçar tashmë kanë publikuar planin e detajuar rregullativ për këtë projekt solar si dhe vlerësimin e ndikimit në mjedis të projektit. Palët mund të dërgojnë komentet e tyre për këto dokumente deri më 14 mars.

Përvec vendosjes së paneleve solare, projekti Solarina përfshinë edhe ndërtimin e një nënstacioni 110 kV dhe të linjës së transmetimit.

Projekti Solarina do të ketë fuqi të instaluar të prodhimit prej 150 megavatësh në orë.

Në baza vjetore, Solarina pritet të prodhojë 256 gigavat orë energji elektrike, apo mjaftueshëm për të furnizuar 48 mij amvisëri në Serbi si dhe do të ndihmojë në shmangien e 286,200 tonëve të emetimeve të dioksidit të karbonit në vit.

Projekti i parkut solar Solarina përbëhet nga tri njësi, dhe është i vendosur në hapësirë prej 409 hektarësh në Salas, Mala Jasikova dhe Dubocane.

Ndryshe, projekti Solarina është projekti i dytë solar që po pret ndërtimin në rrethinën e Zajeçarit. Autoritetet lokale pak kohë më parë kanë publikuar dokumente të ngjashme për një projekt tjetër solar prej 50 megavatëve të ndërmarrjes nga Beogradi, Energy Network.