Search

CWP dhe Mercuria JV të gatshme të investojnë gjysmë milliard euro në BRE-të në Bullgari

20 Tetor, 2021


Rënia e kostove të investimit, potenciali i zhvillimit të projekteve të energjisë së ripërtëritshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe nevoja për tranzicion të sistemeve të energjisë drejt dekarbonizimit, ka bërë që interesimi i investitorëve të huaj për të investuar në këtë sektor të rritet.

CWP Europe, një kompani e re e përbashkët e themeluar nga CWP dhe Mercuria Energy Trading, kanë thënë se janë të gatshëm të investojnë mbi gjysmë milliard euro në projekte të energjisë së ripërtëritshme në Bullgari.

Vetëm CWP është duke zhvilluar projekte të erës në Bullgari me kapacitet të përgjithshëm të instaluar prej 669 megavatësh, që përfshijnë dy projekte të mëdha në pjesën verilindore të vendit, si dhe parqe solare.

Kompania e re e krijuar, CWP Europe tani më është duke punuar në zhvillimin e projekteve të energjisë së ripërtëritshme me kapacitet prej 2 gigavatësh në Bullgari, Serbi, Rumani dhe Ukrainë. Sipas komunikatës për media, këto projekte kapin vlerën prej 1.9 miliardë eurosh.

Dy kompanitë kanë thënë se janë të interesuara të zhvillojnë investimet në vendet e varura nga qymyri dhe që për prioritet kanë dekarbonizimin.

Ata kanë thënë se zhvillimi i projekteve të energjisë së ripërtëritshme në rajon do të mundësojnë stabilitet të çmimeve të energjisë elektrike në periudhë afatgjate.

Kompania e re e themeluar nga CWP dhe Mercuria, CWP Europe, ka selinë qendrore në Luksemburg, ndërsa në Bullgari operon përmes filialit PostScriptum Bulgaria.