Çka thuhet për sektorin e energjisë në “Raportin e Progresit” për ekonominë e Kosovës?
08 Nëntor, 2023

Ekonomia joformale, korrupsioni, sfidat e sektorit privat e sundimi i dobët i ligjit, janë disa nga pikat kyçe me të cilat ballafaqohet ekonomia kosovare. Kështu thuhet në “Raportin e Progresit” për Kosovën të publikuar nga Komisioni Evropian. Megjithatë, aty thuhet se Kosova ka bërë disa përparime në zhvillimin e një ekonomie tregu funksionale, por kritika ka edhe për sektorin e energjisë. Në këtë raport thuhet se rimëkëmbja ekonomike e Kosovës u ngadalësua ndjeshëm gjatë vitit 2022 dhe arsye për këtë sipas raportit, kanë qenë zvogëlimi i investimeve dhe ngadalësimi i rritjes së konsumit të familjeve si pasojë e inflacionit të lartë.
“Rimëkëmbja ekonomike e Kosovës u moderua ndjeshëm në vitin 2022. Kjo ishte kryesisht për shkak të zvogëlimit të investimeve dhe ngadalësimit të rritjes së konsumit të familjeve si pasojë e inflacionit të lartë, veçanërisht pas fillimit të luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Pavarësisht elasticitetit që ekonomia ka demonstruar gjatë krizave të fundit, sektori privat vazhdon të pengohet nga sfidat strukturore të gjata, të tilla si një ekonomi joformale e përhapur, një prevalencë e lartë e korrupsionit dhe përgjithësisht sundimi i dobët i ligjit”. – thuhet në raport.
“Formalizimi i tregut të punës vazhdoi, por pjesëmarrja në tregun e punës dhe normat e punësimit, veçanërisht tek gratë dhe të rinjtë njerëzit, mbeten shumë të ulëta, ndërsa papunësia mbetet e lartë. Rekomandimet e vitit të kaluar janë adresuar pjesërisht dhe mbeten kryesisht të vlefshme.” – thuhet në raportin e KE-së.Raporti i Progresit thekson se “sektori i energjisë mbetet një pengesë kryesore për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe kriza e vazhdueshme energjetike nënvizoi urgjencën për të siguruar një furnizim të besueshëm dhe të pastër me energji dhe diversifikimin e burimeve të energjisë.”