Search

Bytyçi: Kosova duhet të synojë t’i shtojë mesatarisht 100 MW në kapacitete të reja në vit

04 Maj, 2022


Aktualisht është bartës i programit për Politikë dhe Ekonomi të Universitetit të Londrës, Seb Bytyçi dha një intervistë për Buletinin Ekonomik, ku diskutoi nevojën urgjente për politika agresive zhvillimore në Kosovë.

Në diskutim e sipër, Bytyçi po ashtu preku edhe sektorin e energjisë në Kosovë, ku theksoi nevojën për investime dhe shtim të kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë elektrike.

Kosova duhet të synojë që mesatarisht t’i shtojë 100 MW kapacitete në vit, për t’i plotësuar nevojat e veta fillimisht, dhe për ta ulur varësinë nga thëngjilli, tha Bytyçi në një ndër pikat për sektorin e energjisë në Kosovë.

Sipas Bytyçit, në Kosovë duhet të ndërmerren politika tjera që nxisin investimet, ku një prej tyre përfshinë edhe nacionalizimin e rrjetit të distribucionit të rrymës.

Mirëpo, në aspektin afatgjatë, Seb Bytyçi mendon se duhet të dizajnohen politika që e bëjnë shoqërinë më të qëndrueshme, e që është në gjendje të përballet me sfidat e kohës siç janë edhe ndryshimet klimatike, të bëhet ripyllëzimi masiv dhe të shpallen parqe nacionale hapësirat mbi një lartësi mbidetare të caktuar (p.sh., 700m), si dhe të shpallen persona juridikë lumenjtë dhe malet me rëndësi të veçantë, si p.sh., Drini, Alpet, Luboteni, Bifurkacioni.

Në pyetjen e drejtpërdrejtë se ku dështoi Kosova si shoqëri që nga përfundimi i luftës në sektorin energjetik, edhe pse me burime të konsiderueshme dhe të bollshme natyrore, Bytyçi dha një qëndrim mjaft interesant.

Bytyçi në përgjigjen e tij për Buletinin Ekonomik e ka vlerësuar Korporatën Energjetike të Kosovës si një çerdhe të korrupsionit, duke ndikuar shumë në mungesën e zhvillimit të sektorit.

Ai madje theksoi se dështimi në zhvillimin e kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë së ripërtëritshme mund të ketë ndodhur për shkak të mungesës së interesimit brenda vetë KEK-ut.

Madje, ai ka theksuar edhe projektin e dështuar të termocentralit “Kosova e Re”, si një strategji ekonomike pa rezultate pozitive.

“KEK-u është përfolur më së shumti si çerdhe e korrupsionit, dhe stagnimi në këtë fushë mund të ketë të bëjë me këtë. P.sh., KEK-u ka qenë importuesi më i madh i naftës, një produkt i pafiskalizuar. Gjithashtu, ka pasë ankesa se aktivisht është shtypur ndërtimi i kapaciteteve të ripërtërishme dhe kjo mund të ketë ndodhur për shkak të interesave brenda KEK-ut. Pastaj, projekti i dështuar për Kosovën e re, duhet të shihet si pjesë e qasjes së Projekteve të Mëdha Infrastrukturore (PMI), që është një strategji ekonomike pa rezultate pozitive. Këto projekte njihen për potencial të madh për korrupsion, por që nuk ndikojnë pozitivisht në zhvillim. Gjithashtu, ka pasur dyshime për korrupsion edhe në përhapjen e hidrocentraleve të vogla që ishin shkatërruese për lumenjtë, por që nuk kishin ndonjë efekt madhor në shtimin e kapaciteteve”, ka thënë Bytyçi për Buletinin Ekonomik.

Në temën e orientimit, nëse Kosova duhet ta braktisë tërësisht thëngjillin dhe të fokusohet në zhvillimin e teknologjive të gjelbra, Bytyçi tha se kjo do të ishte ideale, por realiteti është shumë më i ndërlikuar theksoi ai.

Ai shpjegoi se edhe nëse Kosova do të braktiste tani prodhimin e energjisë elektrike në bazë të thëngjillit, vendi sërish do ta shfrytëzonte energjinë e tillë, të bazuar në thëngjill, në forma të importit – të prodhuara në vende të tjera.

Megjithatë, Bytyçi vuri në dukje se vendi duhet të synojë instalim mesatarisht 100 MW në kapacitete të reja në baza vjetore, kjo për të mbuluar konsumin e brendshëm dhe për të ulur varësinë nga qymyri, duke theksuar panelet diellore si një mjet që do të rriste edhe punësimin.

“Do të ishte ideale që të mos përdorej fare thëngjilli, por realiteti është më i komplikuar dhe duhet kohë dhe planifikim i mirë për ta braktisur thëngjillin. Për shembull, nëse Kosova nuk përdorë fare thëngjill që nga sot, do të duhej të importonte energji elektrike të prodhuar me thëngjill nga jashtë. BE dhe Gjermania, sidomos, në fakt e rritën përdorimin e thëngjillit viteve të fundit, madje edhe duke e importuar atë nga Rusia. Kosova duhet të synojë që mesatarishtë t’i shtojë 100MW kapacitete në vit, për t’i plotësuar nevojat e veta fillimisht dhe për ta ulur varësinë nga thëngjilli. Kjo nënkupton se duhet të investohet edhe në prodhim të teknologjisë së gjelbër, p.sh., prodhimi i paneleve solare do të ndihmonte me krijim të vendeve të punës si dhe me rritjen e energjisë së pastër”, ka thënë Bytyçi.