BRE së shpejti me skemë të re mbështetëse – ZRRE merr mbështetje nga BERZH skemë mbështetëse
July 21, 2025

ZRRE merr mbështetje nga BERZH për zhvillimin e mekanizmit të ri për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë.
Zyra e Rregullatorit për Energji ka njoftuar se kanë siguruar mbështetje teknike nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH për zhvillimin e një mekanizmi të avancuar mbështetës për burimet e ripërtëritshme të energjisë.
“Kjo mbështetje vjen si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të ZRRE-së për të përmirësuar kuadrin rregullativ dhe për të nxitur investimet në teknologji të gjelbra dhe të qëndrueshme në sektorin energjetik. Bashkëpunimi i ngushtë me BERZH-in përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve institucionale dhe rritjes së transparencës në proceset rregullative.” thuhet në njoftimin e ZRRE.
Sipas rregullatorit ky mekanizëm do të luajë rol kyç në krijimin e kushteve më të favorshme për zhvillimin e tregut të energjisë nga burime të ripërtëritshme, në përputhje me objektivat strategjike të vendit dhe standardet evropiane.
Mirëpo detaje të tjera rreth kësaj skeme të re mbështetëse nuk ja publikuar ende. Skema e mëparshme e cila ishte miratuar në vitin 2017 ka ofruar çmime fikse (Feed-In tarifa) për BRE-të dhe është mbyllur për aplikime të reja që nga viti 2020.