Search

Bosna fiton në fazën procedurale për rastin e termocentralit të ri me qymyr

29 Dhjetor, 2020


Qeveria e Federatës së Bosnës dhe Hercegovinës ka fituar në fazën procedurale në rastin e filluar nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë mbi pretendimet e dhurimit të ndihmës shtetërore për ndërtimin e termocentralit të ri me qymyr – Tuzla 7, ka konfirmuar njëri nga avokatët e përfshirë në rast.

Rasti lidhet me një garancion kredie të lëshuar nga Ministria e Financave në Federatën e Bosnes dhe Hercegovinës në vitin 2017, që ka mundësuar marrjen e kredisë në vlerë prej 614 milion eurosh nga kompania e përzgjedhur nga Kina për financimin e termocentralit, Export Import Bank.

Në korrik 2018, këshilli për ndihmë shtetërore i Federatës kishte vendosur se garancioni i lëshuar nga Federata nuk paraqet ndihmë shtetërore.

Sekretariati kishte filluar procedurat ndaj Bosnës dhe Hercegovinës pas pranimit të ankesave nga organizatat ambientaliste

Sidoqoftë, pak muaj më vonë, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë kishte pranuar ankesë nga dy organizata ambientaliste, të cilat po pretendonin se garancioni i lëshuar ishte ndihmë shtetërore.

Sipas organizatave, garancioni po mbulonte 100% të kredisë ndërsa po pretendonin se i njejti nuk duhej të tejkalonte 80% të shumës. Organizatat gjithashtu po pretendonin se nuk janë përmbushur kushtet tjera për shtimin e njësive të reja në termocentralin me qymyr në Tuzëll.

Pas pranimit të ankesave, në mars të vitit 2019 Sekretariati i Komunitetit të Energjisë kishte paralajmëruar Federatën mbi pretendimet për garancionin bankar dhe pa përfillur procedurat, Sekretariati kishte konkluduar se Federata ka shkelur rregullat e Komunitetit të Energjisë duke lëshuar garancionin për kredinë nga China Export Import Bank.

Në janar të vitit 2020, Sekretariati ka dorëzuar argumentet tek federata e Bosnës në lidhje me ndihmën shtetërore, ndërsa në qershor kishte dorëzuar kërkesën me argumente tek Këshilli i Ministrave.

Këshilli i Ministrave ka vlerësuar se Sekretariati ka përshpejtuar dhe shpërfillur procedurat në rastin e Tuzla 7

Sidoqoftë, më 9 dhjetor, Këshilli i Ministrave kishte vendosur se rasti ishte përshpejtuar nga Sekretariati dhe kësisoji, ka shpërfillur procedurat e Komunitetit të Energjisë, ka thënë Bogdan Gecic, njëri nga avokatët mbrojtës të përfshirë në rast, ka raportuar Intellinews.

‘Sekretariati kishte përshpejtur procesin dhe kishte tejkaluar pesë hapa procedural. Këshilli i Ministrave ka refuzuar këtë dhe ka kthyer rastin aty ku duhej të ishte’, ka thënë Gecic.

Ai ka shtuar se kanë argumente të mjaftueshme për të dëshmuar se Federata nuk ka dhënë ndihmë të pa-lejuar shtetërore në rastin e termocentralit të ri, por ka lëshuar garancion për kredinë e nevojshme për ndërtimin e këtij termocentrali në pajtim me kushtet e tregut.

Këto pretendime janë mbështetur edhe nga kompania e angazhuar ‘Copenhagen Economics’, ka thënë Gecic.

Termocentrali i ri në Tuzlla është vetëm një nga pesë termocentralet e reja me qymyr në Bosne

Ndërtimi i termocentrali ‘Tuzla 7’ me kapacitet prej 450 megavatësh ka nxitur shumë kundërshtime nga ambientalistët në Bosne.

Termocentrali i ri 722 milion eurosh do të zëvendësonte njësitë 3 dhe 4 të termocentralit në Tuzëll, të cilat sipas planifikimeve duhet mbyllur së shpejti. Federata e Bosnës dhe Hercegovinës kishte angazhuar kompani kineze për ndërtimin dhe financimin e termocentralit.

Në baza vjetore termocentrali i ri pritej të prodhonte 2,740 gigavat orë të energjisë elektrike dhe rreth 390 gigavat orë të energjisë termike.

Që në vitin 2014, Federata kishte përzgjedhur China Gezhouba Group dhe Guandong Electric Power Design për të ndërtuar termocentralin, pasi Hitachi ishte tërhequr nga tenderimi.

Sipas planifikimeve, ndërtimi i termocentralit do të bëhej për 56 muaj.

Termocentrali në Tuzëll është një nga shumë termocentralet e reja të planifikuara në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Vetëm Bosna dhe Hercegovina ka planifikuar ndërtimin e pesë termocentraleve me kompani dhe banka nga Kina, të cilat për momentin janë në fazë të planifikimit ose të ndërtimit.

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë kishte filluar procedurë të ngjashme edhe ndaj Kosovës për ndërtimin e termocentralit të ri

Ngjashëm sikurse në rastin në Tuzëll, në dhjetor të vitit 2019, nën të njejtat pretendime mbi ofrimin e ndihmës së pa-lejuar shtetërore, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë kishte filluar procedurë kontestimore ndaj Kosovës për ndërtimin e termocentralit të ri.

Fillimi i procedurave ndaj Kosovës ka ndodhur pas ankesave të shumta të organizatave lokale dhe ndërkombëtare ambientaliste, duke përfshirë INDEP, BGF, GAP, GLPS, Bankwatch Network, Germanwatch dhe KOSID.

Sekretariati kishte njoftuar se me nënshkrimin e kontratës për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, Kosova ka shkelur legjislacionin vendor dhe evropian për ndihmën shtetërore.

Sekretariati gjeti se aspekte të caktuara të kontratës si blerja për 20 vjet e disponueshmërisë së energjisë nën marrëveshjen për blerjen e energjisë, transferi i pronësisë, garancitë shtetërore, përjashtimi nga TVSH dhe të tjera beneficione paraqesin ndihmë shtetërore të sanksionueshme me ligj.

Në vitin 2017, Kosova ka nënshkruar marrëveshje me kompaninë Amerikane me bazë në Britani të Madhe, ContourGlobal, për ndërtimin e termocentralit të ri ‘Kosova e Re’ me kapacitet prej 500 megavatësh.

Ndryshe, sikurse në rastin e Bosnës, termocentrali i ri në Kosovë do të zëvendësonte njësitë e vjetra të termocentralit Kosova A, pas dekomisionimit të këtij të fundit.

I vlerësuar si një nga investimet më të mëdha të huaja në Kosovë në vlerë prej 1.3 miliard euro, ky projekt nuk u finalizua.

Në mars të këtij viti, kompania ContourGlobal kishte njoftuar se do të tërhiqet nga planet për ndërtimin e termocentralit, me arsyen se kompania nuk e ka ndërmend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmen, por po ashtu ishin theksuar edhe ndryshimet politike që kishin ndodhur në Kosovë.

Investitori ContourGlobal përveç që u tërhoq nga ndërtimi i termocentralit në mars të këtij viti, e dërgoi Kosovën edhe në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar për mosrespektim të kontratës.