Search

Bllokimi i kuvendit rrezikon humbjen e  90 milionë eurove nga Banka Botërore – Këto fonde planifikohen të përdoren për ankande të BRE-ve

June 25, 2025


Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka paralajmëruar se Kosova rrezikon të humbasë një financim prej 90 milionë eurosh nga Banka Botërore, i cili është alokuar që nga maji i vitit të kaluar, por ende nuk është ratifikuar nga Kuvendi për shkak të mosmarrëveshjeve politike.

Këto fonde do të shfrytëzohen ndër të tjerash për rundet e ardhshme të ankandeve të burimeve të ripërtëritshme, të cilat do të rrisinë diversitetin e gjenerimit të energjisë në vend i cili ende bazohet në termocentrale të stërvjeturara.

“Janë 90 milionë euro të alokuara nga Banka Botërore për Kosovën, të cilat po presin ratifikimin nga Kuvendi që nga muaji maj i vitit të kaluar,” tha Murati, duke shtuar se “ky lloj financimi është i veçantë sepse ka kamatë 0%”.

Ai thekson se shumë shtete do të dëshironin të përfitonin nga një financim i tillë, por Kosova është ndër shtetet e rralla që e ka marrë atë falë reformave të ndërmarra dhe menaxhimit të mirë të financave publike.

Megjithatë, Murati kritikon opozitën për bllokadën e procesit.

“Partitë opozitare gjatë legjislaturës së kaluar kishin refuzuar të votonin ratifikimin, ndërsa tash po e pamundësojnë edhe konstituimin e legjislaturës së re duke mos marrë fare pjesë në votim”, ka shkruar Murati.

Ai paralajmëron se “Banka Botërore e as bota nuk mund të na presin pafundësisht”.

“Nëse marrëveshja për 90 milionë euro me kamatë 0% nuk ratifikohet deri në shtator, ekziston rreziku shumë i lartë që këto mjetet t’i merren Kosovës dhe ti jepen një shteti tjetër”, ka shkruar Murati.

Ministri në detyrë ka apeluar që opozita të reflektojë dhe të mundësojë konstituimin e Kuvendit e pastaj edhe të votojë këtë marrëveshje.

Ndaj këtij “shqetësimi” kanë reaguar nga PDK dhe LDK duke akuzuar qeverinë për bllokim të kuvendit dhe shtetit.

/Telegrafi