Search

Bizneset të konfuzuara – Nga kush po furnizohen dhe kush do t’i faturojë? Kërkohet sqarim nga ZRRE-e

August 06, 2025


Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë përmes një komunikate drejtuar mediave ka shprehur shqetësimin e saj të thellë në lidhje me mosreagimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, pas aktgjykimit të datës 29.07.2025, të nxjerrë nga Gjykata Komerciale.

Gjykata Komerciale e Kosovës, Dhomat e Shkallës së Parë, ka marrë vendim për të pezulluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji, ZRRE, që parashihte daljen e bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike.

Në reagime Dhomës së Tregtisë thuhet se “Bazuar në pikën 2 dhe 4 të këtij aktgjykimi, ne kemi pritur një veprim konkret nga ana Zyrës së Rregullatorit për Energji, por deri më tani nga kjo e fundit nuk ka pasur një njoftim për hapat e mëtejshëm”.

“Kompanitë që nuk kanë nënshkruar kontratë, nuk kanë asnjë informacion se nga kush po furnizohen me energji elektrike dhe kujt duhet t’i përgjigjen në fund të muajit kur t’u vjen fatura. Ne vlerësojmë se pas këtij aktgjykimi, nuk ka më vend për vazhdim të Liberalizimit të Tregut të Energjisë”, thuhet në njoftim.

Me këtë rast, DHTIK i është drejtuar edhe njëherë ZRRE-së me kërkesën që pezullojë vendimin për Liberalizim të Tregut të Energjisë dhe të nis menjëherë konsultimet publike me të gjitha palët e interesit.

Gjithashtu thuhet se në mungesë të reagimit nga institucionet përgjegjëse, Dhoma i është drejtuar me një kërkesë urgjente edhe Presidentes, Vjosa Osmani.

“DHTIK qysh nga marsi, kur kemi marrë informatën për nisje të këtij procesi përmes mediave, ne kemi ofruar bashkëpunimin e plotë për të gjitha institucionet, pasi në nuk kemi qenë dhe nuk jemi kundër procesit, por kundër formës së zgjedhur për ta bërë atë”.

Lidhja e Bizneseve të Kosovës, LBK, gjithashtu i ka bërë ZRRE-së që të respektojë vendimet e gjykatës dhe të pezullojë menjëherë zbatimin e vendimit për kalimin e detyrueshëm të bizneseve në tregun e hapur të energjisë.

LBK thekson se ky veprim, i marrë në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë dialog serioz me komunitetin e bizneseve, është i papranueshëm dhe rrezikon të shkaktojë pasoja të rënda për ekonominë vendore. Qasja e deritashme e ZRRE-së, me mbështetjen e heshtur të Qeverisë, përbën një hap të gabuar strategjik, që nuk i shërben interesit të bizneseve të Kosovës dhe as zhvillimit ekonomik të vendit.

“LBK shpreh keqardhje që ZRRE dhe Qeveria kanë ndërmarrë një vendim pa konsultime të thelluara, pa analizë të ndikimit ekonomik dhe pa ndonjë plan kalimtar të qartë për të garantuar furnizim të qëndrueshëm dhe të përballueshëm me energji për sektorin privat.

Nuk është e qartë në çfarë agjende janë përfshirë ZRRE-ja dhe Qeveria, por është evidente se ky drejtim nuk është në përputhje me nevojat dhe interesat strategjike të prodhuesve dhe bizneseve vendore, të cilat janë shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik të vendit”, thuhet në reagim.

Sipas tyre, edhe gjykata kompetente ka vlerësuar se ky vendim është kundërshtim më legjislacionin dhe ka urdhëruar pezullimin e tij, çka e bën të pakuptimtë këmbënguljen për zbatimin e tij nga ana e ZRRE-së.

LBK kërkon që ky vendim të rishikohet me urgjencë dhe që të ndërmerren masa konkrete për të ndaluar zbatimin e tij deri në një analizë të plotë gjithëpërfshirëse, të hartuar në bashkëpunim me komunitetin e bizneseve dhe partnerët institucionalë.

/Telegrafi