Search

Biden paralajmëron fundin e përdorimit të gazit brenda 15 viteve, ndërkohë që Kosova synon gazin nga marrëveshjet e Uashingtonit

October 22, 2020


Atëherë kur Kosovë pritet të kycet në rrjete rajonale të gazit, SHBA-të mund të fillojnë procesin e ndalimit të përdorimit të tij për prodhim të energjisë elektrike.

Gjatë një mbledhje të enjten, Joe Biden, kandidati i demokratëve amerikan për president të SHBA-ve ka përsëritur planet për prodhim të ‘energjisë së pastër elektrike’ në vlerë prej 2 trilion dollarësh amerikan. Biden synon të largojë përdorimin e gazit natyror në miksin energjetik brenda 15 viteve të ardhshme.

Mirëpo Ballkani Perëndimor konsideron gazin natyror si një burim që po i kthen këto vende drejt një energjie më miqësore me mjedisin. Për shkak të faktit se gazi natyror mund të zëvendësojë qymyrin në një periudhë afatshkurtër, që aktualisht është burimi kryesor i prodhimit të energjisë në Ballkan.

Biden ka bërë të ditura qëllimet e tij për ndalimin e qymyrit, por edhe të gazit, në favor të burimeve të ripërtëritshme, të cilat i cilëson më të lira dhe më të pastra.

Plani i klimës së Biden vetëm do të përshpejtojë këtë proces, me investime masive në promovimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, sikurse të erës, diellit dhe baterive.

Gazi, ashtu sikurse edhe thëngjilli një dekadë më herët, është duke u përcjellur me probleme të shumta ekonomike.

Përderisa vazhdon të vlerësohet si ndër burimet më dominuese të karburanteve dhe të energjisë në Amerikë, gazi vazhdon të jetë më pak garues karshi burimeve të ripërtëritshme të energjisë.

Energjia solare dhe e erës në SHBA vijnë me cmim më të ulët se gazi, sipas raportit të Bloomberg.

“Ky tranzicion do të ndodhë më shpejt sesa mendojnë njerëzit, ashtu si tranzicioni i qymyrit që ka ndodhur shumë më shpejtë se njerëzit menduan se do të ndodhte”, tha John Coequyt, drejtori i politikës klimatike në Sierra Club.

Trendet ekonomike vlerësojnë se gazi është në të njejtën pozitë sikurse që ishte qymyri atëherë kur ish-Presidenti Barack Obama mori detyrën dhe filloi luftën kundër këtij burimi të energjisë.

Në rastin e qymyrit, Obama shpejtoi rënien e tij duke imponuar rregullore të reja mjedisore që i bënë impiantet e qymyrit më të kushtueshme për të funksionuar.

Administrata e Biden pritet të ndërmerrë veprim të ngjashëm por tani kundër gazit, duke vendosur kufizime të reja – dhe më të rrepta – në emetimet e gazeve serë nga termocentralet me gaz.

Largimi i përdorimit të gazit veçse ka filluar në shtete të caktuara në SHBA. Tashmë, juridiksionet lokale po largohen nga gazi në ndjekje të qëllimeve të tyre klimatike.

Qytete anembanë Kalifornisë kanë filluar të ndalojnë përdorimin e gazit natyror në shtëpi, ndërsa Nju Jorku refuzoi ndërtimin e gazsjellësit të propozuar prej 1 miliard dollarësh nga Guvernatori Andrew Cuomo.

Gazi po hyn fuqishëm në Ballkan, Kosova planifikon kyçjet e para

Kosova po diskuton kyçjen në dy lidhje rajonale me rrjete të distribuimit të gazit, me gazsjellësin Trans-Adriatik (TAP) si dhe gazsjellësin Jon-Adriatik (JAP) përmes Shqipërisë, respektivisht, Maqedonisë së Veriut, për të diversifikuar burimet energjetike.

Këtë Kosova po e bën për të siguruar stabilitetin energjetik dhe furnizimin e rregullt me energji elektrike, karshi objektivave të dekarbonizimit, që nënkuptojnë mbylljen e shpejtë të termocentralit Kosova A dhe mbylljen e njësisë Kosova B në afatmesëm.

Këtë iniciativë e ka mbështetur edhe Janez Kopac, drejtori i Komunitetit të Energjisë, duke e konsideruar gazin si një karburant që mundëson tranzicionin nga thëngjilli.

‘Jam mjaft i sigurt, që në disa vende do të jetë karburant për tranzicion energjetik. Sepse vetëm burimet e rinovueshme ndoshta nuk do të zëvendësojnë qymyrin plotësisht dhe shpejtë’, ka thënë Kopac.

Përfundon studimi, linja e gazit Shqipëri - Kosovë kushton 211 mln euro

Lexo më shumë

Projekte të energjisë elektrike të ndërlidhura me gaz janë paralajmëruar edhe nga vende tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë Maqedoninë, Shqipërinë, Serbinë dhe Bullgarinë.

Krahas paqartësive rreth projektit të ndërtimit të termocentralit të ri me thëngjill, Kosova ka filluar shqyrtimin e ndërtimit të një termocentrali me gaz, i cili është vlerësuar si opcioni më i mire për të mundësuar sigurinë energjetike të vendit.

Ndryshe, Kosova është vendi i pestë në botë për nga rezervat e thëngjillit, përkundër, vendi përballet me mungesë të energjisë elektrike.

Hoti: Përmes SHBA-ve mundësohet ndërtimi i një elektrane të prodhimit të energjisë me gaz

Lexo më shumë

Përdorimi i gazit rezulton në 50 deri në 60% më pak dioksid të karbonit

Gazi natyror ka shumë cilësi që e bëjnë atë një burim efikas, relativisht të pastër dhe një burim ‘ekonomik’ të prodhimit të energjisë elektrike.

Por cilat janë ndikimet e një termocentrali të tillë në mjedis? Njëlloj sikurse thëngjilli dhe vajrat e tjerë, gazi natyror është një karburant fosil, mirëpo ndikimi i tij në ngrohjen globale si gaz serrë është shumë më i vogël në krahasim me karburantet tjera djegëse.

Studimet thonë se gazi natyror emeton 50 deri në 60 përqind më pak dioksid të karbonit (CO2) kur digjet në një termocentral të ri, krahasuar me emetimet e një termocentrali të ri me thëngjill. Kur digjet në vetura më të zakonshme të ditëve të sotit, gazi natyror lëshon edhe 15 deri në 20 përqind më pak gazra të bllokimit të nxehtësisë, sesa lëndët tjera djegëse sikurse benzina.

Procesi i nxjerrjes së gazit natyror shkakton dëme në mjedis

Mirëpo, shpimi dhe nxjerrja e gazit nga burimet, dhe më pastaj edhe transportimi në tubacione shpesh herë rezulton në rrjedhje apo përhapje të gazit të metanit, që është përbërësi kryesor i gazit natyror dhe paraqet një rrezikshmëri 34 herë më të lartë se dioksidi i karbonit në efektin serrë.

Përgjatë procesit të nxjerrjës së gazit zakonisht nevojitet hapësirë e madhe tokës, dhe kësisoji mjedisi dëmtohet dhe më shumë. Procesi i nxjerrjes, edhe për shkak të hapësirës që zë, mund të shkaktojë erozione, ndotje ujore nga derdhjet kimike ose makineritë, si dhe zvogëlim të ujërave sipërfaqësore si rezultat i uljes së niveleve të ujërave nëntokësorë.

Cilat jane ndikimet e prodhimit të energjisë nga gazi në mjedis?!

Lexo më shumë