Biden i shkruan Osmanit: SHBA-të mbështesin të ardhmën e qëndrueshme energjetike
20 Prill, 2021
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë se SHBA-ja mbështet vazhdimin e dialogut të Kosovës me Serbinë dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, e cila do të përqëndrohej në njohjen reciproke.
Kështu thuhet në një letër të cilën presidenti amerikan, Joe Biden i ka dërguar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në të cilën e uron atë për zgjedhjen në këtë pozitë.
Në letër, Biden shkruan se partneriteti mes dy vendeve është i rrënjosur në vlera të përbashkëta, duke theksuar se do të punojë me Presidenten Osmani në prioritetet që kanë të bëjnë me forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe bashkësive fetare, rimëkëmbjen nga pasojat e pandemisë Covid-19, zhvillimin ekonomik si dhe sigurimin e të ardhmes së qëndrueshme energjetike.
Në njoftimin e zyrës së presidentes Osmani, thuhet se presidenti Biden i është përgjigjur edhe kërkesës së Osmanit që SHBA-ja të ndihmojnë me vaksina, bazuar në letrën e saj të 19 marsit.
Presidenti Biden ka thënë se, “me shtimin e sasisë së vaksinave, SHBA-të do të punojnë me partnerët për shpërndarjen e tyre dhe se ekipi i tij do të jetë ne kontakt me Presidenten Osmani për realizimin e synimit të tillë”.
Presidenti Biden ka përmendur edhe raportin personal të familjes Biden me Kosovën.