Search

Banorët e Malishevës ankohen për ndërprerje të rrymës deri në 11 orë

29 Dhjetor, 2023


Në Komunën e Malishevës banorët ankohen se tash e disa kohë po ballafaqohen me probleme me energjinë elektrike. Sipas tyre, ndërprerjet janë të shpeshta e pa njoftime nga KEDS-i. Përfaqësues të Komunës thanë se iu ishte premtuar nga KEDS-i instalimi i një përçuesi në fund të këtij viti. Por në KEDS thonë se përçuesi do të bëhet në pranverë.

Hajdin Biniqi, banor i fshatit Banjë i Komunës së Malishevës, ka biznesin e tij si floktar, por thotë se ndërprerja e energjisë elektrike pa orar të caktuar po i shkakton probleme.

Sipas tij, ndërprerjet e rrymës shkojnë deri në 11 orë në ditë.

“Rryma nuk është duke na bërë rehat asnjëherë. I kam 4 punëtorë ndalet orë e minutë. Unë e kam blerë agregatin 1200 euro, por po na shkakton dëme, po i djeg dritat, 100 mijë sene. Unë nuk e di ku jemi duke jetu”, ka thënë Biniqi.

Përveç ndërprerjes së energjisë elektrike, disa banorë të tjerë kanë treguar se kanë telashe edhe me tensionin shumë të dobët, për çka po u shkakton dëme në pajisje elektrike.

“Për shembull i kemi nxehjet qendrore me energji elektrike, kemi edhe kuzhinën me energji elektrike, ndalet aty për aty. Ka tani defekte, sepse aty punojnë edhe me energji elektrike. Një axhë ka pasë defekt 1200 euro”, ka deklaruar Gafurr Shurrdhaj, banor.

“Edhe të drejtën me thanë, nganjëherë kur vjen rryma, ndalet. Vjen rrymë si e dobët edhe po na djeg mjetet e energjisë elektrike”, ka shtuar banori tjetër Beqir Kafexholli.

Valmir Gashi, zëdhënës në këtë komunë, ka thënë se probleme me energjinë elektrike kanë qe tre vjet dhe se ndërprerja përfshin të gjitha fshatrat e edhe qytetin.

Sipas Gashit, nga KEDS-i është premtuar një zgjidhje për këtë fundvit, por që nuk është bërë.

“Për këtë sezon të dimrit kemi pasur si të themi një lloj premtimi nga ana e tyre, që do të fillojë një investim i ri në linjën që e marrim nga Rahoveci në Malishevë. Ajo ka qenë e planifikune diku nga data 20 që të fillojë, mirëpo zyrtarisht akoma e kemi të panjohur”, ka thënë Gashi.

Gashi u shpreh se është bërë një marrëveshje me KOSTT-in për ndërtimin e një trafostacioni, në mënyrë që të bëhet një zgjidhje afatgjatë. E për të, sipas Gashit, ende nuk ka përfunduar pjesa e tenderimit.

E Lulzim Krasniqi, zëdhënës i KEDS-it, pranoi se probleme të tilla në Malishevë shkaktohen për shkak të mbingarkesës.

“Në pranverën që vjen do të bëhet instalimi i një të ashtuquajturi super përçuesi, që është një përçues që përdoret për linjat e gjata transmetive të tensionit të lartë, përmes së cilës konsumatorët tanë atje do të bëjnë zgjidhje deri në ndërtimin e një nënstacioni nga ana e KOSTT-it”, ka deklaruar Krasniqi.

Ankesa për mungesë të vazhdueshme të energjisë elektrike kanë shprehur edhe banorë në Komunën e Dragashit.

/koha.net