Search

Banorët dhe bizneset e fshatit Potok në hall me energjinë elektrike, thonë se gjendja është alarmante

28 Dhjetor, 2023


Banorët e fshatit Potok të komunës së Gjakovës po përballen me mungesë të energjisë elektrike, por edhe me rrymë të dobët.

Të njëjtin shqetësim e kanë edhe bizneset që operojnë në këtë zonë.

Gjendja, sipas tyre, është alarmante.

Shkelzen Fetahaj, njëri nga pronaret e një lokali që operon në këtë fshat thotë se kanë probleme serioze. Ai thotë se përkundër ankesave të adresuara, KEDS nuk po interesohet askush për këtë shqetësim që kanë.

“Nuk kemi lenë deri pa trokitur në KEDS në mënyrë institucionale, për edhe me shkrim ju kemi bërë kërkesë, por asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje. Atje ka disa lokale dhe ka shtëpi e familje që janë rezident aty banojnë dhe të gjithë e kanë të njëjtin problem”, ka thënë ai.

Më tutje, ai thotë se si rezultat i rrymës së dobët po iu dëmtohen pajisjet si dhe po detyrohen të përdorin gjenerator apo mënyra tjera të cilat trefishojnë shpenzimet.

Njëri nga banorët e këtij fshati thotë se gjendja është alarmante, pasi, sipas tij, në mbrëmje as dritat nuk arrijnë të ndezën dhe se nuk funksionojnë shumica e pajisjeve.

Ai i ka bërë thirrje KEDS-it që të ndërmarr masa për të përmirësuar gjendjen aktuale në këtë fshat.