Search

Bajrami akuzon për tregtim të energjisë përmes Serbisë

June 24, 2025


Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami aludon se po importohet energji nga Serbia. Minitrja Rizvanolli reagon ashpër ndaj këtyre deklaratave.

Në një postim në Facebook deputetje Bajrami, ka shkruar se kryesisht energjia po importohet përmes Serbisë.

“Sa po na kushton importi sot? Nga po vjen energjia?  Kujt po ia paguajmë transportin? Po ua them unë: energjia po vjen kryesisht përmes Serbisë, në emër të “sovranitetit”, fqinjësisë së mirë ose falë kumbarëve të tregtisë me energji”, ka deklaruar deputetja.

Tutje, ajo ka pohuar se ” LVV po e pamundëson konstituimin e Kuvendit dhe njëherësh deputetëve që të diskutojnë aty për këtë çështje me rëndësi jetike dhe jo vetëm”.

“Unë dua të besoj se pas mijëra raportimeve publike, Prokuroria Speciale ka nisur më në fund hetimet për mafinë energjetike. Mos harroni: jemi duke importuar mbi 1 milion euro energji në ditë, këto janë para të qytetarëve që do t’i paguajnë përmes faturave të rrituara edhe më shumë të energjisë elektrike dhe përmes inflaciont për produktet tjera. Qytetarëve me pak mirëqenie për fitimet të majme, për EFT-në e Vuki-it, NOA-n e për ata që e kanë bë të mundshme krejt këtë situatë”, shtoi tuje ajo.

Deputetja ka kërkuar hetim për të gjitha institucionet që janë pjesë e sektorit të energjisë.

Ndërsa ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka reaguar ndaj këtyre komenteve, duke i quajtur këto lajme të pavërteta dhe të bazuara në keqinterpretim të të dhënave.

“STOP DEZINFORMIMIT! Ajo që po quhet ‘import’ i energjisë nga Serbia, duke u mbështetur në rrjedhat fizike të energjisë, ose është dezinformatë e qëllimshme, ose thjesht mungesë dijeje – por në asnjë mënyrë nuk është e vërtetë”, deklaroi Rizvanolli.

Ajo kujtoi se që nga viti 2020, kur Kosova u bë operatore e pavarur energjetike, Serbia ka bllokuar tregtimin përmes linjave ndërkufitare Kosovë-Serbi.

Sipas saj, kjo është një nga arsyet kryesore që shpesh shkakton ngarkesa të tepërta në linjat me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Ministrja i bëri thirrje zyrtarëve të partive politike që të jenë të kujdesshëm dhe të verifikojnë informacionin përpara se të publikojnë informata për sektorin e energjisë.

/Telegrafi