Ankandi i parë solar në Kramovik, përzgjidhet lokacioni
February 06, 2023

Kramoviku i Komunës së Rahovecit është përzgjedhur për organizimin e ankandit të parë për projekte të gjenerimit të energjisë elektrike nga burimet fotovoltaike. Lokacioni i përzgjedhur tashmë po përfshihet edhe në Planin Zhvillimor Lokal të komunës, si vend me potencial për vendosjen e gjeneratorëve fotovoltaikë.
Për lokacionin tregoi Besiana Qorraj Berisha, zyrtare e lartë për burime të ripërtëritshme të energjisë në Ministrinë e Ekonomisë, gjatë diskutimit publik mbi planin zhvillimor komunal të Komunës së Rahovecit për vitet 2022-2031, raporton Kosovo.Energy.
“Dje me mbështetjen e ekipit të Tetra Tech, kisha kënaqësinë të njoftoja se kemi përzgjedhur tokën publike në Komunën e Rahovecit (Kramovik), që do të përdoret për ankandin e parë fotovoltaik”, ka shkruar Besiana Qorraj Berisha në postimin e saj në rrjete sociale.

Ministrja Rizvanolli dhe kryetari i Rahovecit diskutojnë ankandin e parë solar të vendit
Lokacioni tashmë do të përfshihet në planin zhvillimor të Komunës, në cilësinë e lokacionit me potencial të lartë në zhvillimin e kapaciteteve prodhuese energjetike nga burimet solare.
Ndryshe, ankandi i parë për burime të ripërtëritshme të energjisë në Kosovë pritet të lansohet së shpejti, raporton Kosovo.Energy.
Ankandi do të ketë kapacitet prej 100 MW dhe do të ketë kontribut domethënës në diversifikimin e miksit të energjisë në Kosovë dhe në tranzicionin e gjelbër.

Besiana Qorraj Berisha: Në ankandin e parë Ministria do të dhurojë tokë publike në shfrytëzim për investitorët
/Kosovo.Energy