Search

Akreditohet programi i nivelit Master në Energjetikë në Universitetin e Prishtinës

May 26, 2025


Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci ka treguar se pas nëntë vitesh pritjeje, është akredituar programi Master në Energjetikë në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, FIEK, në Universitetin e Prishtinës, të cilin ajo e ka quajtur si një hap madhor drejt përgatitjes së kuadrove profesionale në njërën nga fushat, sipas saj, më kritike për zhvillimin e vendit.

“Përgëzoj menaxhmentin e FIEK-ut dhe stafin akademik për këtë arritje të rëndësishme, e cila do të ndikojë drejtpërdrejt në përgatitjen e inxhinierëve të rinj për nevojat gjithnjë në rritje të këtij sektori jetik”, shkroi ajo.

Nagavci gjithashtu ka njoftuar se është rikredituar edhe programi Bachelor në Energjetikë (BSc) në FIEK, duke dëshmuar kështu, siç thotë, përkushtimin e këtij institucioni për cilësi dhe zhvillim të qëndrueshëm akademik.

“Me këto vendime, numri i përgjithshëm i studentëve në FIEK arrin në 652! Gjatë këtyre katër viteve në FIEK kemi: – një rritje prej 48% të numrit të studentëve të rinj, ose 312 vende më shumë, – zgjerim të numrit të programeve akademike nga 5 në 9 (4 programe të reja – krahasuar periudhën 2021 me 2025)”, njofton Nagavci.

Ministrja në detyrë e Arsimit, thotë se kjo ishte edhe një kërkesë e drejtpërdrejtë e kryeministrit në detyrë,  Albin Kurti, gjatë një vizite në FIEK, duke pas parasysh rëndësinë e këtyre programeve.

“Disa nga rezultatet kryesore të FIEK gjatë këtyre katër viteve të fundit: -Inxhinieri Kompjuterike dhe Softuerike, BSc – rritje nga 150 në 250 studentë; -Energjetikë, BSc – 60 studentë, i akredituar deri më 30.09.2028; -Energjetikë, MSc – 30 studentë, akredituar për herë të parë pas 9 vitesh; -Doktoratë në Inxhinieri Elektrike dhe Kompjuterike, PhD – 22 studentë aktivë (ky program është riakredituar më 2023, pasi kishte humbur akreditimin më 2016)”, shkroi Nagavci.

“Vetëm gjatë viteve 2023–2024, janë investuar rreth 500 mijë euro në pajisje të reja laboratorike për dy programet në fushën e elektroenergjetikës, si dhe janë përmirësuar laboratorët ekzistues, përfshirë:  laboratorin e makinave dhe ngasjeve elektrike, laboratorin e materialeve elektrike, laboratorin e matjeve elektrike; laboratorin e instalimeve elektrike dhe tensionit të ulët, etj”.

Nagavci tha se Kosova ka nevojë jetike për inxhinierë të përgatitur në fushën e energjisë, teknologjisë dhe inovacionit andaj dhe mbështetja dhe angazhimi i tyre në këtë drejtim është i vazhdueshëm.

Edhe ky lajm shëndrrohet në debat politik

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti e cilësoi këtë si lajm shumë të mirë për akademinë dhe sektorin e energjisë.

E ndaj kësaj reagoi deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami duke thënë se për këtë nuk kanë meritë as Kurti e as ministrja në detyrë e arsimit Arbërie Nagavci.

Deputetja Bajrami madje i kërkoi kryeministrit në detyrë që të flas për skandalet në sektorin e energjisë.

“Ti je përgjegjës për gjendje  dhe skandalet në sektorin e energjisë, sepse ish ministrja e ekonomisë, njerëzit që i keni qu në ZRRE dhe në KOSTT kanë leju dhe kanë ndihmu të lulëzoj mafia e energjetike”, u shpreh Bajrami.

/Telegrafi