Search

RWE: Hidrogjeni është zgjidhja e vetme për dekarbonizimin e disa industrive

17 Mars, 2021


Kryeshefi ekzekutiv në ardhje i kompanisë gjermane RWE ka folur për rolin e rëndësishëm të hidrogjenit në dekarbonizimin e industrive të rënda.

‘Ajo që na bën më shumë optimist është se për momentin hidrogjeni është zgjidhja e vetme teknike për të dekarbonizuar disa pjesë të industrive që konsumojnë shumë energji elektrike, aviacionit, si dhe transportit të rëndë’, ka thënë për CNBC Markus Krebber, që për momentin është drejtor financiar në RWE.

I përshkruar si ‘burim i gjithanshëm i energjisë’ nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, hidrogjeni mund të gjejë përdorim në shumë sektorë, duke përfshirë edhe industrinë dhe transportin.

Higrogjeni mund të prodhohet në disa metoda. Njëra metodë bëhet përmes procesit të elektrolizës, me c’rast rryma elektrike përdoret për të ndarë ujin në oksigjen dhe hidrogjen.

Nëse rryma elektrike që përdoret për këtë proces vjen nga burimet e ripërtëritshme të erës apo edhe solare, atëherë hidrogjeni që del nga ky proces quhet ‘hidrogjen i gjelbër’ ose ‘hidrogjen i ripërtëritshëm’.

Viteve të fundit, firma të mëdha industriale kanë treguar planet për të integruar hidrogjenin e gjelbër në operimet e tyre.

Përvec firmave, edhe ekonomi tjera të mëdha, sikurse Bashkimi Evropian, kanë treguar planet për të instaluar 40 gigavat kapacitete të prodhimit të hidrogjenit përmes burimeve të ripërtëritshme deri në vitin 2030.

Drejtori në ardhje i RWE, Markus Krebber, ka thënë se duhen disa vite deri te realizimi i investimit të parë të rëndësishëm të kësaj kompanie në burimin e hidrogjenit, si dhe disa tjera që kompania të fillojë të përfitojë nga këto investime.

Krebber ka thënë se RWE bashkë me qeverinë gjermane janë duke biseduar për ndryshimet e nevojshme në kornizën ligjore për të filluar ‘zhvillimin e ekonomisë së hidrogjenit’.

Ndryshe, deri në fund të vitit tjetër RWE ka thënë se planifikon të rrisë kapacitetet e erës dhe solare në 13 gigavat, nga 9 gigavat sa janë tani.

Kompania ka thënë se është e përfshirë në rreth 30 projekte të hidrogjenit për momentin.