Search

Japonia rritë caqet për energjinë e ripërtëritshme

21 Korrik, 2021


Japonia do të rrisë caqet për pjesëmarrjen e burimeve të ripërtëritshme të energjisë në miksin energjetik për vitin 2030 në kuadër të përpjekjeve për të zvogëluar emetimet dhe për të zbatuar marrëveshjet ndërkombëtare për ndryshime klimatike, thuhet në draftin e fundit të dokumentit mbi strategjinë dhe politikat energjetike të këtij vendi.

Strategjia e re nuk do të ndryshojë pjesëmarrjen e burimeve bërthamore në miksin energjetik.

Sipas draft dokumentit të publikuar të mërkurën, burimet e ripërtëritshme të energjisë do të marrin pjesë me 36-38% në miksin energjetik të Japonisë në vitin 2030, vlerë kjo më e lartë se planifikimet paraprake për 22-24%.

Në dokument, Japonia është përkushtuar të zvogëlojë edhe përdorimin e karburanteve fosile sikurse qymyrin dhe gazin, edhe pse jo në masë të madhe.

Caqet për prodhimin e energjisë nga burimet bërthamore në Japoni do të mbesin të pandryshuara.

Këto ndryshime vijnë si përpjekje e këtij vendi për të zvogëluar emetimet, dhe pas presionit të vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në prag të samitit për klimën që do të mbahet këtë fundvit në Glasgou.

Ndryshe, ekspertët kanë thënë se Japonia do ta ketë të vështirë të arrijë caqet për prodhimin e energjisë nga burimet bërthamore, pas dëmeve të jashtzakonshme të shkaktuara nga Fukushima.

Për momentin, Japonia operon me vetëm 9 impiante bërthamore, nga 54 sa kishte në operim para fatkeqësisë së Fukushima’s.

Edhe pse Japonia ka për qëllim të zvogëlojë mbështetjen në burime bërthamore, draft dokumenti thekson se burimet bërthamore do të vazhdojnë të jenë ndër më të rëndësishmet për furnizimin me rrymë.