Search

500 familje në telashe me rrymën

05 Janar, 2024


Rreth 500 familje në qytetin e Ferizajt tash e një muaj po përballen me mungesë e me tension të ulët të energjisë elektrike. Banorët në zonën e tretë të qytetit janë ankuar se kjo gjendje po u shkaktohen defekte në pajisje elektronike. Në KEDS kanë thënë se shkaku i konsumit të madh të energjisë për ngrohje kanë rënë edhe kapacitetet furnizuese.

Isah Ibrahimi, banor në zonën e tretë në Ferizaj, thotë se tash e një muaj lagjja ku jeton po përballet me mungesë e tension të ulët të energjisë elektrike.

Ibrahimi thotë se si përfaqësues i kësaj zone me mbi 500 familje, ka bërë ankesë e ka iniciuar peticione, të cilat i ka përcjellë në zyrat e KEDS-it në Ferizaj, por pa sukses.

“Në bazë të shumë shqetësimeve të shumë banorëve të këtij lokaliteti për shkak të energjisë së dobët të rrymës kemi shumë avari nëpër shtëpitë tona dhe kemi blerë shumë pajisje për përforcimin e rrymës, duke përfshirë këtu edhe ndërprerjen e fazave të njëpasnjëshme. Qytetarët kanë bërë shumë opinione, shumë nënshkrime e peticione”, ka thënë Ibrahimi.

E Kadri Misimi, i cili ishte për pushime në vendlindje, ka thënë se ai me familje po detyrohen të rikthehen para kohës në shtetet ku jetojnë shkaku i këtyre telasheve.

“Tri lloje të ngrohjes m’u kanë bë. E kam pasur me dru. Më është djegur pompa. E kom pasur vailantin me rrymë. As atë nuk e çon se nuk i ka funksionuar as inventori. E kam marrë klimën. As ajo nuk bën, as atë nuk e çon rryma. Kemi mbetur shumë keq. I kam ra pishman që kam ardhur në pushim”, ka thënë Misini.

Për këto problem janë ankuar edhe bizneset që operojnë në këtë pjesë të qytetit.

“Kemi ndërprerje të rrymës vazhdimisht. Dy faza nuk punojnë kurrë. Makinat nuk i çon, ato digjen për çdo ditë. Kemi probleme gjithmonë me to. Krejt kohën na dëmton, sepse vjen klienti, duhet ta kthejmë prapa, se nuk punon”, ka thënë Burim Jalica, pronar i një biznesi.

Zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi, ka thënë se në zonën 3 të Ferizajt ka mungesë të kapaciteteve të energjisë shkaku i konsumit të madh të energjisë për ngrohje.

Por zotohet se së shpejti do të rregullohet kjo çështje.

“Rrjeti i tillë elektrik nuk është i paraparë për ngrohje, prandaj po shfaqen edhe mbingarkesa, megjithatë në secilin vend kudo që ka ndodhur një gjë e tillë ekipet e KEDS-it kanë ndërmarrë hapat e duhur dhe kanë intervenuar që atyre t’ua kthejnë atyre furnizimin e rregullt me energji elektrike”, ka thënë Krasniqi. “Një rast të tillë e kemi edhe në Ferizaj, ku ka po ashtu mungesë të kapaciteteve për energji elektrike, megjithatë tashmë është duke u ndërtuar një nënstacion i ri nga ana e COST-it, nënstacioni ‘Kastrioti’”.

Problem të njëjtë, atë të mungesës së energjisë e tensionit të ulët ka edhe në qytetin e Malishevës, për të cilin KOHA ka raportuar ditë më parë.

Del jashtë operimit blloku B1

Njësia B1 e termocentralit B të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) është ndalur nga operimi më 4 janar pas mesnate, ka bërë të ditur zëdhënësi i KEK-ut, Skënder Bucolli.

Sipas Bucollit, ndalja nga operimi ka ndodhur si pasojë e rritjes së humbjes së ujit.

“Sot ekspertët e TC B kanë arritur të bëjnë defektazhën, ku janë identifikuar disa rrjedhje në kaldajë, të cilat pritet të eliminohen deri nesër në mesditë, pastaj njësia do të kthehet në operim”, ka thënë Bucolli për KSP-në.

Remonti në njësinë B1 të termocentralit B pati nisur gjatë verës, ku kishte përfshirë punimet në mullinj, ato në kazan, pompat termike, kondensatorët, rezervarët e ujit, pompat furnizuese, në filtra e seperatorët e ujit.

/Koha.net