Search

131 kompani dëmtojnë rrjetin nga viti 2021: Mos gërmoni me ekskavator pa e verifikuar sigurinë e lokacionit

22 Shtator, 2023


Zonat urbane janë shumë të populluara dhe shpesh mund të ndodhë që një shtyllë e vetme të shfrytëzohet jo vetëm nga rrjeti elektrik, por edhe nga operatorë të ndryshëm kabllorë, interneti etj. E njëjta ndodh me zona të caktuara nëntokësore ku hapësira pothuajse të përbashkëta mund të shfrytëzohen për kabllo nëntokësore të rrymës ose edhe gypa të ujësjellësit.

Shpesh, në mungesë të informatës, kompanitë e ndërtimit ose edhe personat fizikë, marrin veprimin për të gërmuar nën tokë pa e verifikuar informacionin në KEDS ose në institucionet përkatëse nëse ajo zonë është e sigurt për gërmim. Nëse një kompani nuk ka informatë paraprake për një zonë të caktuar ku ajo duhet të bëj gërmime, ajo duhet gjithsesi ta verifikojë sigurinë e zonës përpara se të fillojë punimet.

Gërmimet e pabaza dhe të pasigurta mund të dëmtojnë linjat elektrike, transformatorët, shtyllat ose asetet energjetike në përgjithësi. Çështja është serioze, sepse dëmtimet e tilla po ashtu mund ta ndërpresin furnizimin me energji elektrike për konsumatorët tanë për orë të gjata.

Në praktikë, dëmtimi i një kablloje të shpërndarjes së energjisë ose komunikimit nënkupton ndalim i prodhimit në fabrikat e prodhimit, ndërprerje e fluturimeve në aeroporte ose mbyllje e qendrave tregtare duke i lënë bizneset pa punë derisa sa të riparohet dëmi.

Duhet ta kemi parasysh se sipas ligjeve në fuqi, çdo dëm që shkaktohet në rrjet nga neglizhenca ose pakujdesia, përgjegjësia materiale bartet te personi/kompania që e ka shkaktuar atë.

Ju lutem, vini re që në momentin kur një person fizik ose kompani shkakton dëme në rrjet gjatë gërmimit nën tokë, hapet rast në polici dhe personi ose kompania mund të ndiqet edhe penalisht. Dëmi i shkaktuar riparohet nga ekipi i KEDS-it, por kompania jonë pastaj dërgon të gjitha faturat e shpenzuara për riparimin e dëmit te personi ose kompania që e ka shkaktuar atë.

Sipas të dhënave të KEDS-it, nga viti 2021 deri më sot, rreth 131 kompani të jashtme kanë shkaktuar dëme në asetet e KEDS-it, dëme të cilat është dashur t’i kompensojnë për të bërë riparimin e nevojshëm. KEDS-i ballafaqohet shumë shpesh me raste të tilla dhe, si pasojë, konsumatorët mbesin pa energji elektrike.

Më pak dëmtime të kabllove nëntokësore do të thotë më pak kosto direkte riparimi për këto kompani, më pak rrezik ndaj rrymës dhe më pak ndërprerje të energjisë për konsumatorët, që barazohet me zero dëme materiale për kompanitë e ndërtimit ose të tjera që dëmtojnë asetet tona.

Kur secila kompani ka kujdes gjatë punës së tyre, duke u konsultuar me KEDS-in paraprakisht, duke respektuar gjithmonë lejet ndërtimore ku përfshihet edhe planimetria e rrjetit nëntokësor, ato njëkohësisht e ruajnë sigurinë publike në vend dhe kujdesen për hapësirat e përbashkëta që kemi.