ZRrE raporton për hidrocentrale, 26 hidrocentrale me kapacitet 108 MW janë realizuar ose / dhe po realizohen në Kosovë
October 27, 2020

Sot u mbajt seanca e radhës e Komisionit për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmrrësi dhe Investime Strategjike, ku u diskutua për rastin e tri hidrocentraleve në Deçan në pronësi të ndërmarrjes ‘Kelkos’ nga Austria.
Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, nuk ka shkuar për raportim, ndërkohë që mbledhja e komisionit ka vazhduar me raportimin e përfaqësuesëve të ZRRE-së.
Deputetja Kusari ka pyetur se sa leje të përkohshme janë aktive për sa hidrocentrale.
“Sa inspektime janë bërë nga ZRRE-ja në pjesët ku operojnë hidrocentrale. Kam një raport tuaj për kompaninë KELKOS dhe në këtë raport janë një mori shkeljesh dhe në mesin e tyre është operimi i dy hidrocentraleve pa licencë. Ne të njëjtin raport thuhet se nga këto hidrocentrale është furnizuar me rryme drejtpërdrejtë manastiri i Deçanit. Cilat kanë qenë masat që i ka marrë ZRRE-ja ndaj kompanisë në fjalë për këto shkelje”, ka thënë ajo.
ZRrE: Deri më tani të realizuara ose në realizim janë 26 hidrocentrale me kapacitet 108 megavat
Sipas kornizës ligjore dhe licencave, por edhe obligimeve ndërkombëtare dhe strategjisë energjetike të vendit, deri në vitin 2020 rreth 25% e bruto konsumit të energjisë duhet të jetë nga burime të ripërtëritshme të energjisë, kanë theksuar përfaqësuesit e ZRrE-së gjatë raportimit në Komision.
‘Nga ato janë të përcaktuara 240 megavat për hidrocentrale, 150 për erë, 10 për solare, të cilat janë plotësuar me 20 megavat shtesë në vitin 2017, dhe 14 për biomasë të plotësuara me 6 megavat shtesë në vitin 2017, përmes ndryshimit të udhëzimit administrativ’, tha Arsim Janova, Kryesues i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.
‘Deri tash të realizuara ose në realizim janë 26 hidrocentrale, me kapacitet të përgjithshëm prej 108.449 megavatësh, duke përfshirë edhe katër hidrocentrale që janë me tarifa jo-nxitëse në Radavc edhe Lumbardhi. Nëse realizohen edhe këto, prodhimi i përgjithshëm nga hidrocentralet do të jetë rreth 110 megavatë’, shtoi Janova.
ZRRE-ja pranon se disa hidrocentraleve u është lejuar puna edhe pa licencë
Kryesuesi Zyrës së Rregullatorit, Arsim Janova, ka pranuar se kanë lejuar disa kompani të operojnë pa licencë.
Ai ka thënë se janë treguar tolerant me ata që i kanë pasur lejet tjera.
“Po pranoj që kemi lejuar të punojnë sepse në një mënyrë kemi konsideru që edhe leja mjedisore do të sillet t’u marrë parasysh që i ka pasur dokumentet tjera. Ndoshta kemi qenë tolerant në atë aspekt që i ka pasur të gjitha lejet tjera. Ndoshta është një tolerancë që s’është dashur të ndodhte por është një proces që është dashur në vazhdimësi sepse nuk e kemi pasur vetëm këtë gjenerator”, ka thënë ai.
Janova është përgjigjur në pyetjen e deputetes Kusari, se cilat masa do të ndermirën ndaj operatorëve pa licencë ose cilat masa janë ndërmarrë për operimin ilegal.