Search

ZRRE me reagime të vrullshme ndaj lëvizjeve të fundit në sistem

June 03, 2025


Nga 1 qershor, bizneset e mëdha kanë kaluar në tregun e hapur të energjisë sipas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Kryesuesi i bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu tha për Telegrafin se disa nga konsumatorët kanë lidhur kontrata, ndërsa ata që nuk kanë arritur kanë kaluar direkt në treg të lirë.

Fejzullahu theksoi se të njëjtit që skanë lidhur kontrata me ligj iu takon të furnizohen 60 ditë nga KEK.

“Me ligj ata që s’kanë lidh kontratë për 60 ditë e ka me KEK-un. Një pjesë kanë gjet kontratë me KEK-un, furnizuesit komercial një pjesë me KESCO-n. Por të gjithë ata që nuk kanë gjet kontratë kanë dalë në treg të lirë”, tha Fejzullahu.

Nga vendimi i liberalizimit të tregut të energjisë do të preken rreth 1,300 biznese. Kalimi në tregun e hapur, përkatësisht në tregun me çmime të parregulluara për furnizim me energji, po bëhet pavarësisht kundërshtimeve të shumta nga ana e bizneseve.

Sipas këtij vendimi të ZRRE-së të gjitha bizneset e mëdha, me mbi 50 punëtorë ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, është dashur të zgjedhin vetë një kompani të licencuar për furnizim me energji elektrike.

Nëse nuk kanë arritur të përzgjedhin, këto biznese nga 1 qershori kanë kaluar automatikisht në tregun e hapur, ku furnizimi bëhet nga Korporata Energjetike e Kosovës, KEK, në cilësinë e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit, FMF, por me çmime të përcaktuara nga tregu.

FMF-ja mund të furnizojë vetëm dy muaj më energji kompanitë dhe nëse pas kësaj periudhe ato që nuk gjejnë furnizues, rrezikojnë të shkëputen nga rrjeti energjetik.

Sipas ZRRE-së ky proces përbën një hap të rëndësishëm dhe të shumëpritur drejt ndërtimit të një tregu të hapur, konkurrues dhe transparent, i cili do të ofrojë më shumë mundësi për konsumatorët që të zgjedhin lirshëm furnizuesin e tyre të energjisë elektrike.

ZRRE siguron se minitoron vazhdimisht operatorët në sistem

Për manipulimet e mundshme nga furnizuesit me çmimet që mund të iu ofrojnë bizneseve, Ymer Fejzullahu, Kryesues i Bordit të ZRRE-së thotë se nuk kanë mundësi furnizuesit të bëjnë çfarë duan.

“ZRRE është në monitorim të përhershëm të furnizuesve, kushdo që keqpërdor, ZRRE i merr masat. E kemi dëshmuar edhe në të kaluarën kur furnizuesit kanë marr dënime për shkak se nuk kanë operuar sipas licencës. Para dy viteve kemi dënuar KESCO-n dhe KEDS-in me rreth 11 milionë euro, KEK-un me 3.2 milionë dhe KOSTT-in me 500 mijë euro”, ka deklaruar Fejzullahu.

Tutje ai ka treguar se në dhjetor të vitit 2024 ka filluar një hetim për çmimet e energjisë elektrike.

Ai thotë se nuk mund të ndaj shumë me publikun për këto hetime sepse mund të dëmtohen ato por që po presin edhe informata nga rregullatorët e rajonit.

Fejzullahu tregon se hetimet mund të zgjasin me vite por që ZRRE do i koordinoj hetimet edhe me rregullatorët tjerë sepse ka dyshime për manipulime edhe më gjerë se në Kosovë.

Kryesuesi, Fejzullahu, parasheh ngritje edhe më të lartë të çmimit të energjisë

Kryesuesi i Bordit të ZRRE, Ymer Fejzullahu thotë se gjatë vitit 2023 dhe 2024 kanë qenë çmimet më të larta të energjisë elektrike.

Fejzullahu ka paralajmëruar shtrenjtim të energjisë edhe me vendosjen e taksës së CO2 dhe remonteve në termocentralet Kosova A dhe Kosova B.

“Sapo të vendoset taksa e CO2, do të shtrenjtohet energjia elektrike për të gjithë konsumatorët. Kjo taksë është shtyrë, por do të vendoset. Energjia elektrike do të rritet edhe për shkak të investimeve që do të bëhen në Kosovën A dhe Kosovën B, nëse ato bëhen” – ka deklaruar ai duke shtuar se nuk mund të dihet me saktësi se sa mund të jetë shtrenjtimi.

Tutje ai ka thënë se energjia e KEK-ut është më e lirë se ajo në treg. I pyetur se pse nuk është marr vendim që të mbrohen prodhuesit nga çmimi i lartë i energjisë në treg, Fejzullahu arsyetohet se ky është kriter ligjor i vendosur nga Kuvendi i Kosovës.

“Aty thuhet qartë që të drejtën e furnizimit universal e gëzojnë dy kategori, konsumatorët shtëpiak dhe bizneset e vogla me qarkullim më pak se 10 milionë ose më pak se 50 punëtorë” – ka shtuar ai.

I pari i ZRRE-së thotë se janë institucionet tjera që mund të marrin vendime për të mbrojtur prodhuesit.

“Kuvendi mund të bëj ndryshime ligjore, por nuk i ka bërë që nga viti 2017. Ky proces nuk mund të shtyhet në pafundësi, meqenëse nuk kemi pasë asnjë lëvizje, as nga bizneset e as lëvizje të ndryshimeve në legjislacionin primar”, shton Fejzullahu.

Në rast se Kuvendi bën ndryshime ligjore, Fejzullahu thotë se ZRRE e ka si detyrë që brenda 9 muajve të përgatit legjislacionin sekondar të nevojshëm për implementimin e ligjit.

/Telegrafi