Search

ZRRE licencon edhe projektin e tretë të prodhimit të rrymës nga era në Bajgorë

17 Dhjetor, 2021


Në mbledhjen e Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, anëtarët e Bordit kanë licencuar edhe projektin e tretë të prodhimit të rrymës nga era në Bajgorë, me kapacitet të përgjithshëm të instaluar prej 34.47 megavatësh.

Ky është projekti i tretë i erës i licencuar i ndërmarrjes kosovare-gjermane-izraelite ‘SOWI Kosovo’, e cila ka zhvilluar tri projekte të erës në Bajgorë, me kapacitet të përgjithshëm të instaluar prej rreth 105 megavatësh.

Në tetor të këtij viti, anëtarët e Bordit të ZRRE kanë licencuar projektin e parë, të emëruar ‘Selaci 1’, ndërsa më 13 dhjetor të njejtit kishin licencuar projektin e dytë, ‘Selaci 2’.

Projekti në Bajgorë, projekti më i madh i erës i përfunduar në Ballkan

‘Inxhinierimi, ndërtimi dhe prokurimi është bërë nga një kompani e njohur gjermane ‘Notus’. Kapaciteti total është rreth 105 megavat, ndërsa vlera e projektit rreth 169 milion euro. Projekti gjithashtu kreditohet financiarisht nga BERZH-i dhe është ndër projektet më të mëdha në Ballkan të kësaj teknologjie. Është një sukses i shkëlqyeshëm për tregun e Kosovës të ketë një gjenerator të tillë’, ka thënë Udhëheqësi i Zyrës Ligjore në ZRRE, Afrim Ajvazi gjatë prezantimit të projektit pranë anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Projekti i licencuar sot, Selaci 3, është projekti i fundit i ndërmarrjes i licencuar sot në mbledhjen e Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Bordi i ZRRE-së ka lejuar operimin e projektit Selaci 3 të SOWI Kosovo në periudhë 40 vjeçare, pasi kompania ka dorëzuar të gjitha dokumentet e nevojshme për përmbyllje të procesit të autorizimit.

Në mbledhjen e ZRRE është thënë se me projektin e ri, fuqia e instaluar e burimeve të ripërtëritshme në Kosovë ka arritur në 230 megavat.