Search

ZRRE konsideron liberalizimin e tregut si legjitim

July 31, 2025


ZRRE në ditën e vendimit të Gjykatës Komerciale për pezullim e vendimit për tregun e lirë energjetik rithekson se procesi i hapjes së tregut është në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, në mënyrë transparente dhe të paanshme, duke respektuar të gjitha standardet procedurale dhe materiale.

“Të gjithë konsumatorët komercialë që i kanë përmbushur kriteret për kalim në tregun e hapur, janë të obliguar të furnizohen nga një furnizues i licencuar. Furnizimi i përkohshëm përmes Furnizuesit të Mundësisë së Fundit (FMF) përfundon sot më 30 korrik 2025, dhe periudha tranzitore e garantuar për furnizim prej 60 ditësh është e përcaktuar në ligj dhe nuk mund të zgjatet me vendime administrative”, thuhet në njoftimin e ZRRE.

Ndërkaq, bizneset anëtare të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës kanë njoftuar se bizneset shprehin shqetësim të thellë për mënyrën e njëanshme dhe të papërgatitur me të cilën po zbatohet ky vendim, i cili rrezikon rëndë stabilitetin e tyre financiar dhe vetë ekzistencën e shumë kompanive në vend.  Si pasojë bizneset kanë lajmëruar dhe masa të rënda rënda.

“Nëse ZRRE nuk merr vendim për shtyrjen e menjëhershme të këtij procesi, bizneset do të detyrohen të ndërmarrin masa demokratike dhe ligjore të kundërshtimit, përfshirë protesta të gjera dhe bllokim të aktiviteteve ekonomike. Kërkesat për dialog dhe rishqyrtim janë shpërfillur sistematikisht nga ZRRE, duke e thelluar pasigurinë në treg dhe duke e rritur barrën financiare mbi sektorin privat, që tashmë po përballet me sfida të rënda”, thuhet në njoftim.

Këtë vendim vazhdimisht e kanë kundërshtuar opozita aktuale

Së fundmi deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti është shprehur se vendimi i ZRRE-së për dalje në treg të hapur të energjisë për biznese, ka krijuar pasiguri të madhe për furnizim me energji për biznese.

Hoti përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se kjo gjendje është e pakuptimtë.

“Do të duhej të mbaheshin konsultime e të bëheshin shumë përgatitje. Vendimi do të duhej të dakordohej me komunitetin e bizneseve. Pasojat do të jenë të mëdha: largim i investitorëve ekzistues vendorë e ndërkombëtarë, mosardhje e investitorëve të rinj, mungesë e investimeve vendore, rritje e kostove të bizneseve vendore, humbje e aftësisë konkurruese të produkteve vendore në tregun e brendshëm dhe të jashtëm, shtrenjtim i kostos së jetesës për qytetarë, rritje e papunësisë”, ka shkruar Hoti.

Tutje ai the se si rezultat, brenda një kohe të shkurtër do të vërejmë përkeqësim të bilancit tregtar, pasi produktet e huaja do të vërshojnë tregun e vendit.

“Kjo qasje arbitrare e ZRRE-së, e mbështetur nga Qeveria e mashtrimit, vetëm bizneseve kosovare nuk u shërben. Nuk e di në çfarë agjende janë futur ZRRE-ja dhe Qeveria e mashtrimit, por sigurisht jo në agjendë që është në interes të bizneseve të Kosovës”, ka shkruar ndër të tjera Hoti.

/Telegrafi