ZRRE e autorizuar për lëshimin e Certifikatave të Origjinës të cilat tani bizneset mund t’i përdorin në të gjithë Evropën
December 01, 2025

Të mërkurën e kaluar në Lisbonë të Portugalisë është mbajtur Asambleja e Përgjithshme të Shoqatës e Entiteteve Lëshuese të Certifikatave, meqë rast është miratuar kërkesa e Zyrës së Rregullatorit për Energji për tu bërë anëtare me të drejta të plota në këtë Shoqatë.
Me këtë rast ZRRE është bërë anëtare me të drejta të plota në Shoqatës e Entiteteve Lëshuese të Certifikatave të Origjinës (Association of Issuing Bodies – AIB), si pjesë e platformës evropiane për Garancitë e Origjinës.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se me anëtarësimin në AIB, Kosova adopton Sistemin Evropian të Certifikatave të Energjisë (EECS), duke siguruar që Garancitë e Origjinës të lëshuara në Kosovë të njihen në të gjithë Evropën.
“Kjo rrit transparencën dhe besueshmërinë e certifikimit të energjisë së ripërtëritshme, duke mundësuar tregti ndërkufitare më efikase dhe duke hapur rrugë për investime të reja në sektorin e energjisë së ripërtëritshme. Anëtarësimi gjithashtu konfirmon përkushtimin e Kosovës për rrugën drejt tranzicionit energjetik të vendit dhe harmonizim me Acquis Communautaire të BE-së”, thuhet në njoftim.
Po ashtu siç thuhet në njoftim delegacioni i ZRRE-së u përfaqësua nga Ymer Fejzullahu, Kryesues i Bordit të ZRrE, dhe Lindita Daija nga LuxDev Kosova.
“Ky hap vjen pas një pune të gjatë të bërë nga ZRRE për funksionalizimin e platformës për lëshimin e Certifikatave të Origjinës dhe takimeve në mes të ZRrE dhe institucioneve Suedeze realizuar në fillim të nëntorit, ku ZRRE u njoh nga afër me menaxhimin e regjistrave të Garancive të Origjinës, zbatimin e rregullave EECS dhe mbikëqyrjen e deklarimit të energjisë elektrike”.
Tutje në njoftim bëhet e ditur se duke e cilësuar anëtarësimin si një arritje historike, Fejzullahu theksoi se ky proces forcon kapacitetet institucionale të Kosovës, rrit transparencën në certifikimin e energjisë së ripërtëritshme dhe e pozicionon Kosovën si një partner të besueshëm në tregun evropian të energjisë.
“Kjo arritje u mundësua me mbështetjen e projektit ‘Tranzicioni i Energjisë dhe Zbutja e Ndryshimeve Klimatike të LuxDev, financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut”.
/Telegrafi