Search

Zjarr janë përhapur në të gjithë vendi – Një prej tyre në afërsi të Termocentrali Kosova A

July 09, 2025


Një zjarr është raportuar  afër termocentralit Kosova A.

Zëdhënësi i KEK-ut, Skënder Bucolli në një intervistë për KosovaPress tha se zjarri është jashtë termocentralit Kosova A dhe nuk ka rrezik për objektet.

Sipas tij ky zjarr erdhi si pasojë e djegies së barishtave për shkak të motit të nxehtë dhe erërave në ditën e sotme.

“Kjo është jashtë Kosovës A, është tek Seberimet, janë djegur disa barishta. Nuk ka ndonjë rrezik, fola edhe me zjarrfikësit e kanë nën kontroll. Janë barishta që janë djegur si pasojë e motit të nxehtë e erërave. Nuk mund t’i afrohen objektit dhe zjarrfikësit janë në vend të ngjarjes…Nuk ka rrezik për objekte. Kjo vjen çdo vit si pasojë e temperaturave të larta dhe erërave”, tha ai.

Zjarrët janë përhapur ngado

Kosova këtë javë po përballet me vatra të zjarrit në të gjithë territorin.  Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave ka bërë të ditur se, të martën, në territorin e Kosovës janë regjistruar 15 vatra zjarri aktive.

Flakët po përhapen në sipërfaqe të hapura fushore dhe malore, pa shkaktuar deri tani humbje jetësh.

Sipas njoftimit zyrtar, zjarret janë të përqendruara në fshatrat e komunave: Mitrovicë, Skenderaj, Ferizaj, Gjakovë, Klinë, Podujevë dhe Novobërdë.

Megjithëse humbje njerëzore nuk ka pasur, dëmet materiale në tokë dhe infrastrukturë janë evidente, sidomos në zonat pyjore dhe kullotat përreth.

MPB apelon fuqishëm te qytetarët që të mos ndezin zjarre në ambiente të hapura dhe të jenë vigjilentë gjatë gjithë kohës.

Çdo vatër e dyshuar duhet të raportohet pa vonesë në numrat emergjentë pa pagesë: 112, 193 dhe 192.

/Telegrafi