7 °C
Search

Zgjatet afati i dorëzimit të dokumenteve për bizneset që nuk do të kalojnë në treg të hapur për dy javë

March 24, 2025


KESCO ka njoftuar se është zgjatur afati i dorëzimit të dokumenteve për verfikimin e kategotive të bizneseve që do të kalojnë në tregun e hapur edhe për dy javë. Bizneset tani mund të dorëzojnë vetëm me certifikatë biznesi dhe shifrën e konsumatorit.

Për të gjithë bizneset e vogla që kanë më pak se 50 punëtorë dhe më pak se 10 milionë euro qarkullim vjetor, afati për dorëzimin e dokumenteve të nevojshme për vazhdimin e furnizimit me energji elektrike nga KESCO si konsumatorë të rregulluar është shtyrë për një periudhë shtesë prej dy javësh.

Sipas KESCO, ky vendim është marrë në bashkëpunim me ZRrE-në dhe ATK-në, pas fluksit të madh dhe kërkesave të shumta nga bizneset për të sjellë dokumentacionin e nevojshëm, i cili është i domosdoshëm për të vazhduar furnizimin me tarifa të rregulluara.

Për ta lehtësuar këtë proces, tani të gjitha këto biznese duhet të sjellin vetëm dy dokumente të nevojshme, certifikatën e biznesit me numrin unik dhe shifrën e konsumatorit të energjisë elektrike të bizneseve përkatëse.

Afati i ri për dorëzimin e dokumenteve është deri më 7 prill 2025.

Dokumentet mund të dorëzohen përmes kanaleve zyrtare të KESCO-s, si adresa e emailit: komerciale@kesco-energy.com apo në qendrat e shërbimit me konsumatorë të KESCO-s, që gjenden anekënd Kosovës

Bizneset duhet të dorëzojnë këtë dokumentacion në afatin e përcaktuar për të shmangur kalimin në tregun e hapur të energjisë. Pa këtë dokumentacion, bizneset do të jenë të detyruara të bëhen konsumatorë të tregut të hapur dhe do të kenë mundësinë të zgjedhin furnizuesin e tyre. Obligimin për t’i sjellë këto dëshmi e kanë të gjitha bizneset e vogla që kanë më pak se 50 punëtorë  dhe kanë më pak se 10 milionë euro qarkullim vjetor.

ZRRE sheh liberlizimin si hap kyç dhe pozitiv për sistemin dhe bizneset

Gjatë javës së kaluar bizneset kanë kërkuar shtyrjen apo pezllimn e këtij procesi. Mirëpo, ZRRE ka theksuar se deri më tani nuk ka asnjë arsyeje për shtyrje të afatit sa i përket vendimit për procesin e liberalizimit të tregut të energjisë. Pra, do të dalin në tregun e hapur të energjisë nga 1 qershori.

Sipas ZRrE-së, paralajmërimi lidhur me ndryshimin e procesit të liberalizimit të tregut të energjisë, është që vitin e kaluar, por për shkak të krizës energjetike dhe pandemisë, procesi është shtyrë deri më tani. Fejzullahu nënvizoi se kjo lëvizje do t’i japë mundësi bizneseve të zgjedhin vetë furnizuesit e tyre dhe të negociojnë çmime më të favorshme.

“Këto kritere janë të vendosura në ligje, në legjislacionin primar në vitin 2016. Procesi i liberalizimit të tregut ka filluar nga ana e ZRrE-së për zbatimin e këtyre ligjeve në vitin 2017. Tanimë veç i kemi disa konsumatorë që kanë qenë në treg, siç është Ferronikli, Trepça, SharrCemi e disa konsumatorë tjerë, mirëpo meqenëse kemi pas krizën, pandeminë dhe krizën energjetike, ZRrE e ka stopuar procesin e liberalizimit të tregut me qëllimin e vetëm t’i mbrojë këto biznese, derisa të tejkalohet kriza energjetike dhe pandemia. Për këtë arsyeje kemi shtyrë edhe vitin e kaluar, meqenëse kanë qenë ende çmimet e energjisë elektrike shumë të larta, e kemi shtyrë për një vit”, deklaron Fejzullahu.

Fejzullahu thotë se 19 kompani janë të licensuara vetëm në Kosovë, ku kompanitë mund të zgjedhin çmime shumë më të favorshme.

“19 kompani janë të licencuara vetëm në Kosovë, mirëpo një numër i madh i tyre që operojnë edhe në Shqipëri dhe Maqedoni, bizneset tona mund të lidhin kontrata edhe me këto kompani dhe të furnizohen me energji elektrike me çmime shumë më të favorshme për të cilat konsiderojmë se ndoshta vitin e parë do të ketë një kosto shtesë për këto biznese, mirëpo në afatgjatë, konsiderojmë se është një e mirë meqenëse ata do të kenë mundësinë të zgjedhin vet furnizuesin, por të njëjtën kohë edhe t’i negociojnë kontratat për furnizim me energji elektrike”, nënvizon Fejzullahu.

Sipas Fejzullahut, rreth 1 mijë biznese do të duhet të sigurojnë furnizimin me energji elektrike përmes tregut të hapur. Për të vijuar me tarifa të rregulluara, bizneset duhet të dëshmojnë se kanë më pak se 50 punëtorë dhe qarkullim vjetor nën 10 milionë euro.
Fejzullahu nënvizon se po ashtu dy vitet e fundit kanë krijuar edhe bursën, instrument i cili ua lehtëson edhe kontraktimin e energjisë këtyre bizneseve, meqenëse siç thotë ai, bursa shqiptare tanimë veç është funksionale në Shqipëri, e cila është edhe në Kosovë.