Search

Ymeri: Fajësimi i Kurtit për dështimin e termocentralit të ri është i paqëndrueshëm

13 Janar, 2022


Ish-kryeministri i Kosovës nga radhët e AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kritikuar sërish ashpër qeverinë aktuale dhe kryeministrin Albin Kurti se si e ka trajtuar apo po e trajton krizën energjetike.

Haradinaj ka kujtuar se nga buxheti i shtetit janë shpenzuar dhjetëra milionë euro për të mbuluar importet e energjisë elektrike, duke thënë se për të njëjtën çështje do të bëhet edhe një kërkesë e re për 30 milionë euro shtesë.

Këto komente, Haradinaj i bëri gjatë emisionit DebatPlus në kuadër të Dukagjinit.

“Ka hi 2022, pse ki sot reduktime në Kosovë me orë të tëra? Pse jemi vendi i vetëm në rajon që kemi reduktime”, tha Haradinaj.

“Qeveria ka ndërhyrë me dhjetëra million deri më sot, dhe po ndërhyn, tash është prap një kërkesë e re për rreth 30 milion tjera për me mbulu diferencën në treg”, tha Haradinaj.

“Në kohë të këtij kryeministri dhjetëra million po eksportohen para në Serbi, sepse Serbia është duke e mbushur tregun me diferencën e energjisë. Pjesën e rajonit tonë është duke e mbushur Kolubara”, tha ai.

Haradinaj: Herë do kur në Kosovë Kurti do ta ketë të vështirë dhënien e llogarisë pse e ka lënë Kosovën pa kapacitete energjetike

Madje, ish-kryeministri sërish ka kritikuar Albin Kurtin për kundërshtimin dhe madje refuzimin e zhvillimit të projekteve të mëdha energjetike në Kosovë.

Ai theksoi dy projekte të rëndësishme amerikane, termocentralin “Kosova e Re” me qymyr dhe projektin e financuar nga MCC që parashikonte zhvillimin e infrastrukturës së gazit në Kosovë.

Në këtë kuptim, Haradinaj ka thënë se do të vijë dita që dikush do të duhet të përgjigjet për vendimin që e la Kosovën pa kapacitete të reja prodhuese të energjisë elektrike.

“Aktualisht kemi të bëjmë me një qeveri që ka fituar një shumicë shumë të madhe, edhe është e pandeshkueshme në kuptimin që është vështirë t’i kërkohet llogari kësaj qeverie tani”, tha ai.

“Herë do kurdo në Kosovë e ka të vështirë Kurti dhënien e llogarisë pse e ka lënë Kosovën, cfar interesi ke pasur ose mos ke pasur konflikt interesi që e ke lënë vendin tënd pa kapacitete energjetike”, tha Haradinaj.

“Dy herë ke refuzu dy projekte ‘Kosovën e Re’ dhe gazsjellësin prej Shkupit. Nuk ke ndihmuar në investime të tjera energjetike, dhe ke përfunduar duke nxjerrur rreth 100 milion do t’i nxjerrim në total kur të bëhen duke eksportuar para të këtij vendi”, theksoi ai.

Ymeri: Të ja mveshësh Kurtit përgjegjësinë për dështimin e termocentralit të ri, mendoj se është e paqëndrueshme

Në anën tjetër, në cilësinë e analistit politik ishte edhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe ish-kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri.

Ymeri argumentoi kundër pikës së Haradinajt se Vetëvendosje dhe Kurti janë fajtorë për të gjithë dështimin e Kosovës për të zhvilluar kapacitete të reja gjeneruese të energjisë elektrike në shkallë të gjerë.

Ymeri ka shpjeguar se projekti për një termocentral të ri me qymyr në Kosovë është diskutuar që nga viti 2005 dhe se deri në ardhjen e Kurtit në pushtet, projekti duhet të kishte përfunduar.

“Nëse kthehemi pak në histori dhe ju e dini këtë cështje mirë edhe ju si person edhe ju si parti, ideja e një termocentrali të ri në Kosovë ka filluar me u diskutu më së voni mbase në vitin 2005-06 kur Ethem Ceku ka qenë ministër i energjetikës”, tha Ymeri.

“Atëherë ka qenë 2000MË nëse nuk gaboj, pastaj ka pësuar edhe ndryshim në emër edhe në fuqi, prej ati momenti prej 2006 ka qenë në diskutim publik ndërtimi i një termocentrali të ri”, tha Ymeri.

“Kurti ka ardhur në pushtet në vitin 2019-2020 kur ka pasur pushtet real, tjetër gjë prania në kuvend e opozita e kështu me rradhë”, theksoi ai.

“Të ja mveshësh Kurtit përgjegjësinë për dështimin e termocentralit të ri, mendoj se është e paqëndrueshme sepse nëse për shembull prej vitit 2006 deri në vitin 2019, për 13 vite nuk kemi arritur me vendos një lopat në themelin e termocentralit të ri unë nuk pe kuptoj qysh Kurti e ka penguar ndërtimin e këtij”, sqaroi Ymeri.

Madje, ai u ndal edhe në periudhën kur Vetëvendosje po merrte vëmendje dhe fuqi, por sqaroi se Vetëvendosje nuk ishte një forcë e rëndësishme pasi kishte vetëm 12 apo 14 deputetë dhe nuk kishte fuqi të pengonte asgjë.

Ymeri po ashtu ka kujtuar se përpjekje të ngjashme janë bërë edhe për të ndalur privatizimin e KEDS-it, por Vetëvendosje dështoi, duke lënë të kuptojë se në dështimet kanë ndikuar edhe faktorë të tjerë.

“Kur janë ndrruar qeverit, kur secila qeveri e ka pasur seriozisht, kur secila qeveri ka dashtë me ndërtu termocentralin ose të paktën janë deklaruar me ndërtu termocentral të ri, dhe kjo nuk ka ndodhë”, tha ai.

“Kurti ka ardhur shumë vonë për me pengu termocentralin, nëse ju më thoni se Kurti ka penguar termocentralin nga pozicioni i opozitarit, kur Vetëvendosja përshembull i ka pasur 12 deputet, kur Vetëvendosja i ka pasur 14 deputet, unë nuk mendoj se ka mundur të pengoj ndonjë gjë”, theksoi ai.

“Sepse ne jemi munduar atëherë të ndalim edhe privatizimin e KEDS por skemi qenë të suksesshëm”, sqaroi ai.

Nga ana tjetër, Haradinaj i është përgjigjur Ymerit duke i shpjeguar se situata është mjaft e thjeshtë.

Për projektin 2000 MË luajtën një rol faktorë të tjerë, ndër të tjera OKB-ja.

Mirëpo, sa i përket projektit të pushtetit “Kosova e Re”, ai dështoi për shkak të Vetëvendosjes, për shkak të kundërshtimit të saj politik.

“Unë mendoj se situata është poashtu mjaft e thjeshtë. Duke pasur respekt për kronologjinë e zhvillimeve, sepse ajo e 2000MË ka qenë pengesë e OKB’së në atë kohë, edhe të instancave të tjera”, tha Haradinaj.

“Mirëpo, ‘Kosova e Re’ dështimin e ka mbrri për shkak të VV’së. për shkak se ka pasur një politik të zëshme kundër”, tha ai.

“‘Kosova e Re’ dritën e ka në 2018, në 2018 VV ka qenë grupi më i madh parlamentar në parlament, si grup paralamentar”, sqaroi Haradinaj.

“Shumica e jonë ka bërë një shumicë qeverisëse, por prap se prap në grup parlamentar ka qenë mjaft problematik qëndrimi i subjektit politik që nesër vije në qeveri”, theksoi ai.

“Nuk ka pasur siguri një investitor kur e sheh parlamentin tënd duke shkuar lëmsh kundër investimit të tij, keni parasysh është mjaft e ditur kjo në botë. Për me marr një investim të tillë, për shumë tema, vendet bëjnë bashkëpunim pozit-opozit”, tha ai.

Haradinaj ka ndarë edhe një detaj mjaft interesant lidhur me mundësinë e arkëtimit të faturave të energjisë elektrike në veri të Kosovës.

Ai tha se është hartuar një projekt në bashkëpunim me USAID-in për ta zbatuar atë në veri të vendit.

“Unë i tregoj Kurtit që e ka pasur në tavolinë kur ka ardhur zotri Kurti, të gjithë projektin të përpiluar në bashkëpunim me USAID për me faturu energjinë në veri. Pra e ka pasur të gatshme”, tha ai.

“Si ka mundësi me të dal energjia më e lirë kur 200 milion të investimit i ke falë. Herë do kurdo, nëse bënë ti dicka ato 200 milion duhesh me i shti vetë”, tha ai.

Haradinaj: Nesër, me qenë unë kryetar qeverie, edhe me pare të Kosovës e kisha investu gazsjellësin

Ish-kryeministri i Kosovës ka diskutuar edhe për rëndësinë e projektit të gazit për Kosovën, ndërsa ka insistuar se nëse do të kthehet nesër në detyrë, do ta zhvillonte projektin, edhe nëse do të thotë se do të jetë me fonde shtetërore.

“Shiqo nesër, me qenë unë kryetar qeverie, edhe me pare të Kosovës e kisha investu gazsjellësin, jo me para falë të Amerikës por edhe me para të Kosovës sepse është infrastrukturë energjetike, gazsjellësi, hekurrudha, rruga, largpërcuesi, janë interes strategjik janë fuqi, janë ekonomi janë vende të punës”, tha ai.

“Sepse një dimër me ja humb Kosovës, si rasti i këtij dimri, po e zëmë me ja pas fillu vjet i bije që mas tre viteve ne e kishim pasur energjinë në Kosovë me gaz. Nëse nuk ja ka filluar vjet, i bije pas 4 viteve, i bije që edhe një dimër do të kemi problem. Njëjtë është edhe me ‘Kosovën e Re’”, theksoi Haradinaj.