Search

Veton Surroi: Në diversifikim ti duhesh të kesh gaz, dhe gaz nga çdo kush

01 Dhjetor, 2021


Publicisti, politikani, ish-gazetar i njohur dhe tashmë këshilltar i ekipit negociator të Republikës së Kosovës në dialogun me Serbinë, Veton Surroi, foli për çështjen e gazit në Kosovë.

Surroi theksoi se çështja e gazit në Kosovë nuk duhet të shtrohet, pasi sipas tij në diversifikimin energjetik vendi duhet të ketë gaz dhe atë nga cili do vend që mund të ta siguroj atë.

Këto komente Surroi i bëri gjatë emisionit Rubikon në kuadër të KlanKosova.

Surroi: Ne nuk jemi vend që mund të hyjmë në konkurrencë me Serbinë në drejtim të investimeve industriale

Surroi shpjegoi se Kosova aktualisht nuk mund të konkurrojë me Serbinë për sa i përket investimeve industriale, por theksoi nevojën e një vizioni të qartë dhe konvergjencës me shtetet e saj të fuqishme aleate për transformimin në sektorin energjetik të vendit tonë.

“Ne nuk jemi vend që mund të hyjmë në konkurrencë me Serbinë në atë drejtim, të investimeve industriale. Por, jemi vend i cili mund të, nëse krijon një vizion të mjaftueshëm, të kërkoj konvergjencën, ndihmë dhe investim dhe planifikim me shtetet e fuqishme në transformimin tonë energjetik”, tha Surroi.

Surroi për gazsjellësin Shkup-Prishtinë: pjesa e shpenzimit të eksproprimit nuk ekziston

Ndërkaq, sa i përket debatit dhe kritikave të panumërta nga partitë opozitare sa i përket vendimit të qeverisë për të refuzuar zhvillimin e infrastrukturës së gazit, ndonëse jo përgjithmonë, Surroi tha se debati i zhvilluar nuk ka qenë i informuar.

Tutje, ai foli për avantazhet e Kosovës në kornizën e zhvillimit potencial të projektit, ku theksoi se Kosova veçse ka trasen që lidh vendin me Shkupin të trashëguar nga koha kur bënte pjesë në ish-Jugosllavi, duke nënvizuar se pjesa e shpenzimit të shpronësimit nuk ekziston.

“Se kam përcjell me të thënë të drejtën sepse nuk po është debat i informum. Me sa kam kuptuar unë, gjendja është kjo, Kosova e ka trasenë e lidhjes me gaz”, theksoi Surroi.

“Më me rëndësi se gypi si i tillë është traseja, dhe trasenë e kemi pasur të trasheguar nga koha ish-Jugosllavisë sepse e kemi pasur lidhjen e gazifikimit me Shkupin, ne i kemi qu gaz Shkupit. Kshtuqë pjesa e shpenzimit të eksproprimit nuk ekziston”, tha ai.

Surroi: Në diversifikim ti duhesh të kesh gaz dhe gaz nga çdo kush, nga kushdo që të mund të sjellë

Megjithatë, mbase pjesa më e rëndësishme nga prononcimi i Surroit për çështjen e gazit, ishte se ai nënvizoi se çështja e gazit as që duhet ngritur.

Surroi vuri në dukje se në diversifikimin e energjisë duhet të kesh gaz, dhe atë nga kushdo që është i gatshëm të sjellë tek ju.

Për më tepër, ai e përshkroi gazin si një tranzicion drejt një objektivi të caktuar, mbase duke i’u referuar objektivit të dekarbonizimit të Kosovës në vitin 2050.

“Çështja e gazit apo jo nuk besoj se duhet të shtrohet. Në diversifikim ti duhesh të kesh gaz dhe gaz nga çdo kush, nga kushdo që të mund të sjellë”, tha ai.

“Çështja natyrisht duhet të shtrohet se gazi është poashtu një tranzicion drejt diçkafit, nuk është gazi nga i cili duhet të krijosh varshmëri sepse atëherë je në një pozit delikate”, theksoi Surroi.

Në lidhje me atë se a do të duhet të jetë Kosova më e ndjeshme në çështjet e interesit strategjik të SHBA-ve, sa i përket edhe gazit, si një kritik e theksuar nga partitë opozitare dhe jo vetëm, Surroi tha se Kosovoa duhet të jetë më konvergjente me politikat e sigurisë energjetike dhe jovetëm.

“Natyrisht. Sic thash, ne duhet të jemi më konvergjent me politikat e sigurisë energjetike dhe jovetëm energjetike, të vizionit për zhvillimin e Evropës në 30 vitet e ardhshme”, theksoi ai.

“Për shembull, është një iniciativë e tre deteve , është deti Baltik, deti Adriatik dhe deti i Zi, ka mundësi që edhe ne t’a shofim vetëm aty dhe si rrugë transporti dhe si gjëra të tjera”, tha ai.