Search

Uji i centralit bërthamor tragjik Fukushima do të lirohet në oqean së shpejti

16 Mars, 2023


Uji i trajtuar nga ALPS i ruajtur në stacionin e energjisë bërthamore të Fukushima Daiichi të Tokios Electric Power Company (TEPCO) po përgatitet për shkarkim në det. Ky plan ka bekimin e komunitetit shkencor ndërkombëtar që e vlerëson atë si të sigurt.

Në lokacionin e centralit të energjisë bërthamore të Fukushima Daiichi të TEPCO-së, më shumë se 1000 rezervuarë magazinimi mbajnë ujë të pastruar që është përpunuar përmes Sistemit të Përparuar të Përpunimit të Fluideve (ALPS) për të hequr ndotësit radioaktivë. Këtu mbahen mbi 1.3 milionë m3 ujë, që është sasi e mjaftueshme për të mbushur ndërtesën më të lartë në botë, Burj Khalifa në Dubai.

Në vitin 2021, qeveria japoneze ka krijuar politikën e saj bazë për trajtimin e këtij uji të përpunuar me ALPS, që është shkarkimi i këtij ujit të trajtuar në det. Sipas kësaj politike, procesi i përdorur për trajtimin e ujit e bën atë mjaft të sigurt për të përmbushur standardet ndërkombëtare të sigurisë, me përjashtim të tritiumit. Shumica e ekspertëve pajtohen se kur të shkarkohet përfundimisht, uji do të përbëjë pak ose aspak rrezik për shëndetin e njeriut ose mjedisin. Kur kjo të ndodhë, do të shënojë një pikë kthese të rëndësishme në çaktivizimin e centralit bërthamor dhe për rindërtimin në Fukushima.

Më 11 marsit 2011, një tërmet i shkallës 9 goditi bregun lindor të Japonisë, tërmeti më i fuqishmi i regjistruar ndonjëherë në vend. Ai shkaktoi dëme të mëdha në rajonin Tōhoku në veri të ishullit Honshu. Tërmeti gjithashtu shkaktoi një cunami që goditi zonën bregdetare të Tōhoku po atë ditë. Mbi 19,000 njerëz vdiqën në këtë fatkeqësi të dyfishtë, megjithëse askush nuk u vra nga rrezatimi.

Cunami kapërceu rrethojën për mbrojtje nga deti të stacionit bërthamor të Fukushima Daiichi të TEPCO, duke prishur furnizimin me energji rezervë dhe sistemet e ftohjes së reaktorëve. Reaktorët janë fikur automatikisht në momentin që kanë detektuar tërmetin, por humbja e sistemeve të ftohjes shkaktoi katastrofën. Tre reaktorë u shkrinë dhe shpërthimet e hidrogjenit të ndërtesave të reaktorëve lëshuan materiale radioaktive në atmosferë dhe në oqean.

Për shkak të aksidenteve bërthamore, tërmeteve dhe cunamit, 165,000 njerëz nga Fukushimës duhej të evakuoheshin. Pas kësaj, qeveria japoneze filloi një projekt të madh për dekontaminimin e zonës dhe rindërtimin e infrastrukturës. Që atëherë, rindërtimi i Fukushimës ka përparuar në mënyrë të qëndrueshme. Zona ku njerëzit mund të kthehen në shtëpi është zgjeruar gradualisht dhe sot numri i të evakuuarve ka rënë në rreth 29,000.

Megjithatë, ka ende një detyrë mjaft të vështirë në Fukushima. Materiali bërthamor brenda reaktorëve të prekur duhet të ftohet me një rrjedhje të vazhdueshme uji i cili kontaminohet me substanca radioaktive ose “nuklide”. Problemi është përkeqësuar nga shiu dhe ujërat nëntokësore që derdhen në central.

Por inxhinierët kanë testuar strategji të ndryshme, për shembull, kanë ngrirë dheun rreth ndërtesave për të bllokuar rrjedhën e ujërave nëntokësore. Në maj 2014, çdo ditë qarkullohej mesatarisht 540 m3 ujë. Deri në vitin 2021, kjo kishte rënë në një mesatare ditore prej 130 m3. Menjëherë pas aksidentit, TEPCO filloi pastrimin e ujit duke filtruar ceziumin radioaktiv dhe stronciumin, dy nga nuklidet më të zakonshme. Megjithatë, uji përmban edhe shumë nuklide të tjera. Për të menaxhuar këtë, TEPCO ka zhvilluar një sistem të avancuar të përpunimit të lëngjeve (ALPS) që mund të heqë 62 lloje të ndryshme të materialeve radioaktiv nga uji.

Ideja është konceptualisht e ngjashme me një filtër uji shtëpiak. Sistemi pompon ujin e ndotur përmes një sërë filtrash. Këto përmbajnë materiale adsorbuese që lidhen me radionuklidet. Për shkak se ka kaq shumë nukleide të ndryshme, duke filluar nga antimoni tek zinku, uji kalon nëpër filtra të shumtë me veti të ndryshme adsorbuese.

Deri në qershor të vitit të kaluar, ky proces kishte gjeneruar 1.3 milion m3 ujë të trajtuar nga ALPS, i cili ndodhet në mbi një mijë rezervuarë në zonën e Fukushima Daiichi. Uji që nuk plotëson standardet rregullatore për shkarkimin në mjedis, do të ripastrohet nga ALPS ose pajisje të tjera derisa niveli i radionuklideve të plotësojë standardet rregullatore për sigurinë, me përjashtim të një nuklidi që nuk mund të hiqet nga ALPS: tritium, që paraqet një formë hidrogjeni.

Një atom normal hidrogjeni ka një proton të vetëm në bërthamën e tij qendrore, por tritiumi ka dy neutrone. Këto neutrone e bëjnë bërthamën të paqëndrueshme dhe për këtë arsye radioaktive. Problemi është se tritiumi është kimikisht identik me hidrogjenin dhe shumë i vështirë për t’u hequr nga përbërësit që përmbajnë hidrogjen si uji. Tritium ekziston natyrshëm në ujin e detit dhe madje edhe në trupin e njeriut, megjithëse në përqendrime të ulët.

Kjo sugjeron një mënyrë të sigurt për të zgjidhur problemin e tritiumit duke e tretur ujin që e përmban me ujë të zakonshëm deti dhe më pas duke kontrolluar sasinë gjatë shkarkimit. Plani i qeverisë japoneze është të tretë mbi njëqind herë ujin e trajtuar në ALPS. Në të njëjtën kohë, ata vendosin kufirin vjetor të shkarkimit, ajo e tritiumit është nën 2.2 trilion Bekerel që ishte kufiri për shkarkimet para aksidentit. Fluidi i fituar do të ketë nivele tritium më pak se 1500 Bekerel për litër (2.5% e standardeve rregullatore), rreth shtatë herë më e ulët se udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për ujin e pijshëm.

Në këtë nivel, komuniteti shkencor ndërkombëtar beson se është e sigurt të shkarkohet uji në oqean. Në të vërtetë, shumë objekte bërthamore shkarkojnë në mënyrë rutinore tritium në mënyra të ngjashme, dhe ndonjëherë në përqendrime më të larta.

I gjithë procesi i pastrimit dhe shkarkimit po shqyrtohet nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), pjesë e Kombeve të Bashkuara. IAEA ka thënë vazhdimisht se plani i Japonisë është teknikisht i realizueshëm dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare të sigurisë. Në prill 2022, IAEA publikoi raportin e saj të parë pas misionit të saj në Japoni, i pari i një serie të gjatë që do të kryhet në të ardhmen.

Qeveria japoneze planifikon që shkarkimi të fillojë këtë vit dhe të vazhdojë për disa dekada. Rishikimi i IAEA do të kryhet para, gjatë dhe pas shkarkimit. Do të jetë një proces i gjatë, por që më në fund do t’i japë fund një pjese të dhimshme të trashëgimisë së aksidentit bërthamor të Fukushimës.