Udhërrëfyesi i plotë për Marrëveshjen e energjisë në veri [DOKUMENT]
June 21, 2022

Të martën u arrit marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e faturimit të rrymës në komunat veriore të Kosovës.
I dërguari special i BE-së, Miroslav Lajçak, publikoi udhërrëfyesin e plotë për zbatimin e Marrëveshjes së arritur më 2013.
- ZRRE do t’ia lëshojë licencën e furnizimit Elektroseverit. ZRRE-ja do të sigurojë pajtueshmërinë me kushtet e përcaktuara me licencën e furnizimit, në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative të Kosovës.
- Brenda shtatë ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektroseveri do t’i sigurojë KEDS-it dhe KOSTT-it të dhënat më të fundit të disponueshme për konsumatorët, nëpërmjet BE-së.
- Brenda 10 ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektroseveri do të nënshkruajë teknikalitet e nevojshme të marrëveshjes me KOSTT-in dhe KEDS-in për të operuar në tregun energjetik të Kosovës, d.m.th. Marrëveshja Kornizë për pranimin e rregullave të tregut të energjisë elektrike me KOSTT-in, Marrëveshja mbi Detyrimin e Bilancit me KOSTT-in, Marrëveshjen e Kyçjes me KEDS-in dhe një marrëveshje komerciale me KEDS-in për ofrimin e shërbimeve të distribucionit (faturimi, arkëtimi, mirëmbajtja dhe lidhja fizike e konsumatorëve të rinj) në katër komunat veriore me shumicë serbe, sipas paragrafit 1 të Artikullit 5 të Marrëveshjes së 2013-s.
- Brenda 15 ditëve nga nënshkrimi i marrëveshjeve të nevojshme teknike me KOSTT-in, Elektroseveri do të marrë Kodin e Identifikimit të energjisë (EIC) për të kryer aktivitetet e parashikuara nga furnizimi me licensë.
- Në përputhje me Artikullin 14 të Marrëveshjes së Energjisë, brenda 30 ditëve nga nxjerrja e Licencës për furnizim, KEDS dhe KOSTT (nën lehtësimin e BE-së, nëse kërkohet) do të kenë qasje në Nënstacionin Valaq-Nallaq, si dhe në infrastrukturën tjetër të transmetimit dhe shpërndarjes.
- Brenda 45 ditëve nga dhënia e licencës për furnizim, KOSTT dhe KEDS, pas konsultimit me Elektroseverin, do të dorëzojë në ZRRE planin e investimeve dhe kostot e kërkuara të mirëmbajtjes dhe humbjet e rrjetit, bazuar në shqyrtimin e plotë të infrastrukturës ekzistuese.
- Brenda 21 ditëve pas dorëzimit të planit të investimit, shpenzimeve të kërkuara të mirëmbajtjes e humbjeve të rrjetit, ZRRE do t’i aprovojë në parim këto plane, kosto dhe humbje.
- Në rast të mospërputhjes së dispozitave të këtyre konkluzioneve të rëna dakord, pas 100 ditësh nga lëshimi i licencës për furnizim, ZRRE mund të vendosë të pezullojë dhe/ose të tërheqë licencën për furnizim dhënë Elektroseverit, subjekt i konsultimeve paraprake ndërmjet palëve, të lehtësuar nga BE, gjatë një periudhe maksimale prej 15 ditësh. BE-ja do të japë një opinion, nëse kërkohet nga të paktën njëra nga palët.
- Zbatimi i suksesshëm i udhërrëfyesit të rënë dakord është pa paragjykim ndaj detyrimeve të palëve për të zbatuar plotësisht Marrëveshjet e Energjisë nga 2013 dhe 2015.

Arrihet marrëveshja për zbatim të marrëveshjes për energjinë
Lexo më shumë