Search

Udhëhequr nga Franca, 10 vende të BE bëjnë thirrje që energjia bërthamore të etiketohet si e gjelbër

13 Tetor, 2021


Një grup prej dhjetë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të udhëhequr nga Franca, kanë kërkuar nga Komisioni Evropian që të njohin energjinë bërthamore si një burim energjetik me pjesëmarrje të ulët të karbonit që duhet të jetë pjesë e tranzicionit dhjetëvjeçar të bllokut drejt neutralitetit klimatik, raporton Euronews.

Duke marrë parasysh krizën e vazhdueshme të energjisë në Evropë, vendet po bëjnë përpjekje që energjia bërthamore të cilësohet si “burim energjetik të përballueshëm, të qëndrueshëm dhe të pavarur” që mund të mbrojë konsumatorët e BE -së nga “ekspozimi ndaj paqëndrueshmërisë së çmimeve”.

Letra, që ishte inicuar nga Franca, është dërguar tek Komisioni me nënshkrime të nëntë vendeve të tjera të BE, që shumica prej tyre tashmë cilësojnë energjinë bërthamore si pjesë të miksit energjetik kombëtar: Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Finlanda, Hungaria, Polonia, Sllovakia, Sllovenia dhe Rumania.

Termocentralet bërthamore gjenerojnë më shumë se 26% të energjisë elektrike të prodhuar në Bashkimin Evoprian

“Rritja e çmimeve të energjisë ka treguar gjithashtu se sa e rëndësishme është të zvogëlojmë varësinë tonë energjetike nga vendet e treta sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhet në letër, përcjell Euroneës.

Mbi 90% e gazit natyror të BE vije nga importues të huaj, me Rusinë si prodhuesin kryesor.

Kjo varësi e madhe është kredituar si një nga faktorët kryesor mbrapa rritjes së lartë të cmimeve të energjisë elektrike.

“Tensionet e furnizimit do të jenë edhe më të shpeshta dhe ne nuk kemi zgjidhje tjetër përvec se të diversifikojmë furnizimin tonë. Ne duhet t’i kushtojmë më shuëm vëmendje që të mos ngrisim varësinë ndaj importeve të energjisë nga jashtë Evropa”.

Nënshkruesit kanë nxituar Komisionin që të përfshijë energjinë bërthamore brenda taksonomisë së gjelbër të BE, një udhëzues teknik që ndihmon qeveritë dhe investitorët të identifikojnë cilat projekte respektojnë Marrëveshjen e Parisit dhe cilat janë në kundërshtim me qëllimet e tij klimatike.

Aktivitetet që bijnë nën taksonominë duhet të bëjnë “një kontribut të konsiderueshëm” për të paktën një objektiv mjedisor për politikën klimatike të BE teksa evitojnë një dëm të konsiderueshëm për të tjerët.

Për më tepër, projektet në përputhje me taksonominë duhet të përshtaten me një grup kriteresh minimal mbrojtjesh sociale

Komisioni tashmë ka klasifikuar një katalog të gjerë sektorësh sipas udhëzuesit, të tilla si energjia diellore, gjeotermale, hidrogjeni, energjia e erës, hidrocentralet dhe bioenergjia.
Por kur Brukseli prezantoi taksonominë në prill, një sektor ishte i dukshëm nga mungesa: energjia bërthamore.

Pavarësisht urgjencës për të luftuar ndryshimet klimatike, shtetet anëtare nuk janë ende në gjendje të arrijnë një konsensus nëse bërthamori përbën një burim të gjelbër apo të ndotur të energjisë. Komisioni ka shtyrë vendimin vendimtar për t’i lënë vendet të përfundojnë debatin.

Gjermania, që planifikon të mbyll reaktorët e saj deri në 2022, është duke udhëhequr kauzën anti-bërthamore, sëbashku me Austrinë, Danimarkë, Luksemburgun dhe Spanjën.

“Ne jemi të shqetësuar se duke përfshirë energjinë bërthamore në taksonomi do të dëmtonte përgjithmonë integritetin, kredibilitetin dhe në të njëjtën mënyrë edhe përdorueshmërinë”, kanë shkruar ata në muajin korrik.

Në anën tjetër, Franca, që siguron mbi 70% të energjisë elektrike nga centralet bërthamore, ka intensifikuar përpjekjet për të etiketuar energjinë bërthamore si të qëndrueshme nën taksonominë e re.
sic është bërë e ditur edhe në letër, Parisi ka mbështetjen disa vendeve lindore, që tashmë kanë zotuar miliona në projekte bërthamore.

“Teksa energjia e ripërtëritshme luan një rol kyc për tranzicionin tonë energjetik, këto të fundit nuk mund të prodhojnë mjaftueshëm energji elektrike pa emetime të karbonit për të plotësuar kërkesën tonë, dhe në një sasi të mjaftueshme dhe konstante”, është thënë në letër, duke përshkruar energjinë bërthamore si të ‘sigurtë dhe inovative’ me një potencial për të siguruar një milion vende të reja të punës ‘në të ardhmen e afërt’.

Debati pro apo kundër energjisë bërthamore nuk tregon asnjë shenjë të një zgjidhjeje të hershme.

Një raport nga njësia kërkimore e Komisionit e lëshuar në fillim të këtij viti tregon se Brukseli përfundimisht mund të mbajë anën e ekipit pro-bërthamor.

Shkrimi thotë se emetimet e gazrave serrë nga impiantet bërthamore janë “të krahasueshme” me ato të lëshuara nga hidrocentralet dhe era, një vlerësim i ndarë nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) dhe Departamenti i Energjisë i Shteteve të Bashkuara.

Kritikët, në anën tjetër, argumentojnë se mbetjet radioaktive janë të dëmshme për shëndetin e njeriut dhe të mjedisit.

“Energjia bërthamore është tepër e shtrenjtë, e rrezikshme dhe e ngadaltë në ndërtim, “thotë Greenpeace. Ata janë të shqetësuar për aksidentet potencialisht katastrofike bërthamore, të ngjashme me ato të Çernobilit në 1986 ose Fukushima në 2011, të cilat janë ende të rrënjosura thellë në imagjinatën kolektive.

Komisioni thotë se një vendim rreth energjisë bërthamore pritet para fundit të vitit, megjithëse, duke pasur parasysh mosmarrëveshjet e thella, ai mund të përhapet në vitin e ardhshëm.

Në janar, Franca do të marrë presidencën e rradhës të Këshillit, duke i dhënë Parisit një pozicion të privilegjuar për të ndikuar në axhendën e Brukselit